Grushti i shtetit në Guine shqetëson komunitetin ndërkombëtar, rrezikohet tregtia e mineralit të çmuar

Nga dita e djeshme, një vend afrikan më i madh se Britania e Madhe po përjeton paqartësinë e një grushti shteti. Bëhet fjalë për Guinenë, ish koloninë franceze në pjesën perëndimore të kontinentit, 12 milionë persona ku disa po përjetojnë një makth, të tjerë një çlirim nga një menaxhim të dështuar të resurseve të shumta të vendit.

Që diçka nuk shkonte ishte kuptuar që në mëngjesin e së dielës, ku u raportuan të shtëna në pallatin presidencial. Pak orë më vonë, rrjetet sociale treguan pamjet e presidentit në detyrë Alpha Conde, të rrethuar nga trupat speciale që teorikisht duhet ta ruanin, por  që në fakt e kishin marrë rob.

Zyrtarizimi i grushtit të shtetit erdhi pikërisht nga drejtuesi i këtyre forcave, koloneli Mamady Doumbouya, që paradoksalisht ishte emëruar nga vetë presidenti Conde.

Në deklaratën e tij, koloneli që ka një të kaluar edhe si oficer i legjionit të huajve francez, tha se vendimi për të shkrirë qeverinë dhe institucionet në vend ishte marrë “për të përballur kriminalitetin dhe korrupsionin”, dhe se kufijtë me vendet fqinje, janë të mbyllur përkohësisht.

Në kryeqytetin Concray, situata është ende e paqartë, me ushtarakët që kanë ftuar popullatën të rrijë në shtëpi, ndërkohë që disa mijëra njerëz kanë dalë në rrugë në mbështetje të puçistëve, të zhgënjyer nga varfëria dhe nga vendime si rritja me 20% të karburantit.  

Në vend duhej të luhej dje edhe një ndeshje ndërkombëtare midis Guinesë dhe Marokut, që u shty, ndërkohë që lojtarët gjenden të sigurt në dy hotele ndërkombëtare që nuk preken nga ushtarakët.

Conde ishte presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në vend, por nuk mungonin akuzat për korrupsion dhe autoritarizëm, dhe ai vetë kishte ndryshuar Kushtetutën për t’u zgjedhur për herë të tretë. Komuniteti ndërkombëtar ka dënuar ashpër grushtin e shtetit, dhe nuk mungon frika në tregjet globale për pasoja ekonomike që mund të përfshijnë edhe perëndimin. Edhe pse Guinea sipas OKB-së është vendi i 178 në 189 për standardet e zhvillimit njerëzor, ai është eksportuesi me i madh i aluminit në botë, me burime të mëdha bauksiti, ari dhe diamantesh.  

Çmimi i aluminit në këto tregje është rritur në 24 orët e fundit në nivelet më të larta të dekadës, duke afektuar në një pritshmëri afatmesme prodhimin ndërkombëtar, të mineralit që përdoret në fushat më të ndryshme, nga sektori teknologjik dhe automobilistik, tek ai i ndërtimit.

  • LAJMI I FUNDIT | Apeli lë në fuqi dënimin me 2 vite burg për Adriatik Llallën
  • LAJMI I FUNDIT | Ish-kryeprokurori është shpallur fajtor për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë