Lideri i rezistencës në Panjshir: Gati të negociojmë me talebanët

Untitled collage 2021 09 06T075000.029 1100x620

Lideri i opozitës afgane, që është duke i bërë rezistencë forcave talebane në Luginën e Panjshir, deklaroi se mirëpret propozimin e dijetarëve fetarë për negocimin e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftimeve.

Ahmad Massoud, kreu i Frontit Kombëtar të Rezistencës e bëri këtë deklaratë në faqen zyrtare të grupit në Facebook.

Më herët, talebanët kishin raportuar se kishin mundur të hynin në rrethinat e Panjshirit dhe se i ishin drejtuar qendrës së tij.

Talebanët e morën kontrollin e pjesës tjetër të Afganistanit, 3 javë më parë pasi qeveria e mbështetur nga perëndimi dështoi të mbronte vendin dhe presidenti Ghani u largua nga vendi.

“Synimi ynë kryesor si Front i Rezistencës është të zgjidhim problemet aktuale dhe të ndalojmë luftimet për të vijuar negociatat”, shkruan Massoud në Facebook, ku mes të tjerash iu kërkon dhe talebanëve të ndalojnë avancimin në Panjshir.

Për momentin, nuk raportohet se ka një përgjigje zyrtare nga ana e talebanëve për këtë propozim.