Qeverisja me gra, premtimi i Ramës mbetet mes spektaklit dhe vendimmarrjes së vërtetë femërore

“Arma e fundit që mendja ime ka pjellë janë gratë. Kam provuar çdo gjë, por nuk ka funksionuar, prandaj po provojmë gratë”.

Qeverisjen me gratë, Edi Rama nisi ta aplikojë që në mandatin e tij të parë në 2013-n, ku 7 nga 15 ministri që qeveriseshin nga socialistët Rama ua besoi zonjave, duke promovuar Mimi Kodhelin, Lindita Nikollën, Milena Hariton, Eglantina Gjermenin, Ermonela Felajn, Milva Ekonomin dhe Mirela Kumbaron.

“Nga përvoja ime mund t’ju them se nëse doni që të flisni, të keni diskutime të gjata pa bërë asgjë, mund ta bëni duke pasur burra të pranishëm. Por, nëse doni që të punoni realisht dhe nëse doni që gjërat të bëhen, është më mirë të zgjidhni gratë, janë një garanci më e madhe”, deklaronte Rama.

Por, pavarësisht garancisë që jepte për gratë në qeverisje, Edi Rama ka treguar se i ndërron ato sipas stinëve politike. Nga 7 gratë e mandatit të parë, vetëm dy arritën të mbijetojnë në ekipin e mandatit të dytë. Por, edhe Mirela Kumbaro me Lindita Nikollën, atëherë respektivisht ministre e Kulturës dhe ministre e Arsimit, u detyruan shpejt të hapin rrugë. 

Përveç Kumbaros dhe Nikollës, në kabinetin qeveritar të mandatit të dytë bënin pjesë edhe 5 gra të tjera që hynin për herë të parë në Qeveri: Olta Xhaçka, Sonila Qato, Etilda Gjonaj, Ogerta Manastirliu, ndërsa si zëvendëskryeministre u zgjodh Senida Mesi. Me ndryshimet e fundvitit 2018, Rama i dha fund eksperimentit me Senida Mesin që deri para se të bëhej numri dy i Qeverisë, askush nuk e njihte në skenën e madhe politike. Kryeministri preu gjithashtu “kokën” e Sonila Qatos, futi Anila Denajn dhe Elisa Spiropalin, ndërsa solli në Qeveri një tjetër eksperiment, këtë herë etnik, me Besa Shahinin ministre të Arsimit.

Edhe Besa Shahini pati jetë të shkurtër dhe ende pa mbyllur mandatin e dytë, Rama e zëvendësoi me një tjetër grua nga grupi parlamentar, Evis Kushin.

Kulmin e bashkëpunimit me gratë, kryeministri Rama duket se e ka në mandatin e tretë, ku 12 nga 17 postet e kabinetit, ua ka besuar zonjave. Por, vetëm gjysma e tyre janë rikonfirmuar në detyrë: Olta Xhaçka, Evis Kushi, Elva Margariti, Elisa Spiropali, Ogerta Manastirliu dhe Belinda Balluku.

Milva Ekonomit, e kthyer në fund të mandatit të dytë te Bujqësia, i është besuar një tjetër ministri, ndërsa Mirela Kumbaro është një emër i ricikluar nga mandati i parë, që rikthehet në Qeveri me një tjetër detyrë.

E pamundur të thuhet sa prej tyre do t’i mbijetojnë mandatit të tretë, por Edi Rama e ka treguar në dy mandate se ndonëse me fjalë thotë se u beson grave, në praktikë ka dëshirë t’i ndërrojë shpesh ato.