Samiti i Sllovenisë, BE ripërsërit perspektivën evropiane të rajonit

Bashkimi Evropian 1100x620

Bashkimi Evropian do të ripërsërisë qëndrimin për “perspektivën Evropiane” për Ballkanin Perëndimor, gjatë samitit me liderët e Ballkanit Perëndimor, në fillim të tetorit në Slloveni.

Kështu thuhet në një draft-deklaratë të përgatitur nga blloku evropian, e të siguruar nga Radio Evropa e Lirë. Liderët e BE-së e përshëndesin përkushtimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor ndaj perspektivës evropiane, që, sipas këtij dokumenti, mbetet një zgjidhje e përbashkët strategjike.

“Mbështetja e shtuar e BE-së do të varet edhe në të ardhmen nga përparimi i prekshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave socialo-ekonomike, ashtu si edhe nga përkushtimi i partnerëve ndaj vlerave evropiane, rregullave dhe standardeve”, thuhet në draft-deklaratën për samitin e Bërdos.

Në tekstin e kësaj draft-deklarate, po ashtu thuhet se BE-ja do të kërkojë nga vendet e rajonit që të jenë të përkushtuara ndaj qëllimit për fqinjësi të mirë dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura mes tyre.