Save the Children jep alarmin: Në vitin 2030, 20% e të rinjve dhe 30% e të rriturve nuk do të arrijnë të lexojnë

femije 1 1100x620

Në prag të fillimit të vitit shkollor “Save the Children” ka ngritur alarmin mbi situatën e edukimit të fëmijëve në botë në kohën e Covid-it. Organizata paralajmëron se në një të katërtën e vendeve të botës, arsimi i qindra miliona fëmijëve rrezikon të kalojë në kolaps.

“Sot vlerësohet se 10-16 milionë fëmijë janë në rrezik të mos kthehen kurrë në shkollë për shkak të pasojave ekonomike të Covid, sepse ata janë të detyruar të punojnë ose të lidhin martesa të hershme”.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Save the Children”, edhe pse para pandemisë ishte një situatë mjaft kritike me 258 milionë fëmijë në të gjithë botën që nuk kishin qasje në arsim, kjo është përkeqësuar më shumë kohët e fundit. Shkaqet kryesore përfshijnë pandeminë dhe pasojat e saj ekonomike, por edhe krizën klimatike, mungesën e vaksinave kundër Covid-19, zhvendosjen, sulmet ndaj shkollave dhe nivelet e papërshtatshme të digjitalizimit.

 Vendet më të prekura, sipas të dhënave alarmante të organizatës janë ato me të ardhura të ulëta, që bien në nivelin e “rrezikut ekstrem”.

Sipas indeksit të përpiluar nga “Save the Children” këto vende janë; Republika Demokratike e Kongos, Nigeria, Somalia, Afganistani, Sudani i Jugut, Sudani, Mali dhe Libia, të ndjekura nga Siria dhe Jemeni, të cilat konsiderohen të jenë në “rrezik të lartë”. Në vitin 2030, 20% e të rinjve midis moshës 14 dhe 24 vjeç dhe 30% e të rriturve nuk do të jenë në gjendje të lexojnë.

Por sipas raportit niveli i arsimimit ka rënë edhe tek ata kanë qenë në gjendje të vazhdojnë studimet, pasi Covid -19 ka lënë pasoja të rëndësishme. Më shumë se gjysma e 720 milionë nxënësve të shkollave fillore, rreth 382 milionë, kanë një nivel shumë të ulët arsimor, nuk shkojnë në shkollë ose janë nën nivelin minimal të aftësisë për të lexuar. Për më tepër, numri i fëmijëve, mësimi i të cilëve është përkeqësuar, mund të rritet me 72 milionë të tjerë për shkak të pandemisë.