BE miraton 14.2 mld euro ndihmë financiare për vendet e zgjerimit, përfiton edhe Shqipëria

bashkimi europian 1100x620

Bashkimi Europian ka miratuar një fond prej 14.2 miliardë eurosh në mbështetje të shteteve që janë në proces zgjerimi. Ndër vendet që do të përfitojnë nga kjo ndihmë financiare është edhe Shqipëria. Në një deklaratë të publikuar nga BE thuhet se fondet do të vlejnë për periudhën 2021-2027 dhe do t’i ndihmojnë vendet të zbatojnë reformat e nevojshme me synim përparimin e tyre drejt BE.

Në këtë listë janë; Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Islanda, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.

Fokusi i kësaj ndihme do të jenë reformat në fusha si sundimi i ligjit, administrata publike, zhvillimi ekonomik dhe konkurrueshmëria, reforma institucionale dhe politike, sociale e ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE.

Megjithatë, ndihma financiare nuk do të jetë pa kushte, pasi shtrirja dhe intensiteti i ndihmës mund të ndryshohet, në rast të mungesës së vazhdueshme të përparimit të përfituesve në fushat e reformave themelore.