Ditë historike për kriptomonedhat, shteti i parë pranon të blejë Bitcoin, e zyrtarizon si mënyrë pagese

Ndoshta do të mbahet mend si fillimi i një historie të re në ekonominë botërore, ose si fillimi i falimentimit spektakolar të një shteti që ndodhet gjithsesi në varfëri, me qindra nuanca të ndryshme në mes të këtyre ekstremeve.  

Por në të dy rastet, 7 shtatori do të mbahet mend nga ekonomistët si dita kur një vend i pavarur jo vetëm ka pranuar kriptovalutën më të njohur në botë si mënyrë pagese ligjore, por ka blerë edhe një sasi domethënëse të saj.

Bëhet fjalë për El Salvadorin, vendin e Amerikës Qendrore, nga më problematikët dhe të varfrit në rajon, presidenti i të cilit, Nayib Bukele është një mbështetës i hershëm i tyre.

Sipas Bukele, “për herë të parë në histori sytë e gjithë botës janë nga El Salvadori”, por përtej reklamës presidenti mendon se përfitimet ekonomike për këtë vendim të paprecedent mund të jenë të shumtë për vendin e tij.

Pjesë e rëndësishme e ekonomisë së vendit janë remitancat, që përbëjnë rreth 22% të GDP-së,  5.9 miliardë dollarë në vitin e kaluar. Përdorimi i Bitcoin sipas tij do të krijonte një kursim prej 400 milionë dollarësh vetëm nga komisionet, por do të sillte drejt vendit edhe një lum parash nga vendet e tjera që besojnë në tregun e kriptomonedhave.

Por është pikërisht kjo sasi parash që shqetëson FMN-në, me Fondin Monetar që e ka cilësuar vendimin e Bukeles si një hap “tepër të gjatë” për ekonominë  e vendit. Shqetësimet më të mëdha vijnë nga fakti që El Salvadori mund të shndërrohet në një lavatriçe gjigante dhe e pavarur e parave të pista nga burimet më të ndryshme, që mund të vërshojnë në një vend të njohur për korrupsionin dhe praninë e bandave të rrezikshme kriminale.  

Në El Salvador kanë filluar të jenë aktive disa aparate që pranojnë bitcoin duke e shkëmbyer me dollarë amerikanë, që prej dy dekadash është monedha në përdorim në atë vend, por ekspertët paralajmërojnë që të bazosh politike shtetërore mbi kriptomonedha mund të jetë e rrezikshme.

El Salvadori pranoi se ditën e djeshme ka blerë 400 bitcoin me vlerën totale të 21 milionë dollarëve, por ndryshimi i shpejtë i vlerës së tij mund të krijoi dëme të pariparueshme për fondet publike. Diçka që ka futur në alarm edhe një shtresë e popullatës që ka filluar të protestojë në rrugë kundër bitcoinit.