Klandestinët i dolën nga furgoni në mes të Pogradecit, policia arreston 35-vjeçarin

Pogradec klandestinet dalin jashte furgonit ne mes te qytetit 1100x620

Pas daljes së dhjetëra klandestinëve nga dera e një furgoni nga komisariati i Pogradecit, shërbimet e policisë kanë arrestuar 35-vjeçarin Enriko Shyti.

Shërbimet e Policisë Kufitare, kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, 35-vjeçarin duke transportuar me mjetin tip furgon, emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së.

Gjatë shoqërimit për në Komisariatin e Policisë, emigrantët e paligjshëm duke dashur të dilnin nga furgoni kanë hapur derën e tij me forcë dhe kanë mundur të largohen duke u shpërndarë nëpër qytet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, menjëherë u angazhuan për gjetjen e tyre, ku 21 emigrantë të paligjshëm aktualisht ndodhen në ambientet e Komisariatit për procedurat e mëtejshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.