Lufta kundër trafikut të armëve, Çuçi në konferencën e Komisionit Europian: Kemi aprovuar 3 ligje të rëndësishme

WhatsApp Image 2021 09 07 at 13.36.29 1100x620

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, prezantoi arritjet kryesore të Shqipërisë në luftën kundër trafikut të armëve në vend, si dhe angazhimin e Qeverisë në përballjen e këtij fenomeni, gjatë një konference online të nivelit të lartë të organizuar nga Komisioni Europian.

Në të morën pjesë ministrat e Brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe drejtuesit më të lartë të KE. Në qendër të këtij eventi ishte rritja e bashkëpunimit mbi kontrollin e trafikimit dhe përdorimit ilegal të armëve të zjarrit në Europën Juglindore, rajon dhe më gjerë, duke u bazuar në zbatimin e plotë të planit të veprimit të BE-së për trafikimin e armëve të zjarrit për 2020 – 2025.

Gjatë fjalës së tij, ministri Çuçi nënvizoi punën e bërë nga Qeveria Shqiptare në këtë fushë, qoftë në aspektin ligjor, me hartimin e disa ligjeve të posaçme që adresojnë fenomenin, qoftë me punën konkrete të Policisë dhe agjencive ligjzbatuese në zbulimin, kapjen dhe ndëshkimin e vënien para ligjit të shtetasve që trafikojnë apo posedojnë armë në mënyrë të paligjshme.

Në lidhje me kuadrin rregullator, Çuçi theksoi se qeveria ka aprovuar tri ligje të rëndësishme, për armët e zjarrit, për eksplozivët dhe për mjetet piroteknike.

Po kështu, ai tha se po rishikohen disa dispozita të Kodit Penal mbi trafikun e armëve, me qëllim përfshirjen e çdolloj veprimtarie kriminale që kanë të bëjnë me armët, për të shmangur çdo mundësi abuzimi apo pandëshkueshmërie.

Në lidhje me punën e Policisë dhe agjencive ligjzbatuese, ministri deklaroi se çarmatimi i popullsisë dhe heqja e armëve nga duart e atyre që nuk kanë të drejtë ligjore t’i mbajnë, është ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Brendshme, pasi ky fenomen (pra, posedimi i armëve të mënyrë të paligjshme), ndikon drejtpërdrejt në të gjitha format e kriminalitetit.