Mblidhet sekretariati i PS, Gjiknuri: Pas analizës nis procesi i ristrukturimit të partisë

Pak ditë pas emërimit, kryeministri Rama ka mbledhur në seli gjithë sekretarët e Partisë Socialiste. Në këtë mbledhje është diskutuar lidhur me objektivat e reja të Partisë Socialiste, si dhe janë deleguar kompetencat për të gjithë sekretarët. 

Damian Gjiknuri, tashmë në postin e numrit 2 të socialistëve paralajmëroi ristrukturimin e partisë, si dhe ndryshim të statutit të saj.

“Qëllimi i afatit 100-ditor ishte pikërisht përmbyllja e analizave të nisura nga Kongresi dhe lënia kohë PS-së për të përgatitur vizionin e ri. Me fillimin e punës për riorganizimin e PS, ku së bashku me sekretarët e rinj do të fillohet një proces i vazhdueshëm, duke vazhduar me analizat dhe duke ristrukturuar PS-në për sfidat në mandatin në vazhdim. Ky mandat është më i vështirë se është i treti”, u shpreh Gjiknuri.

Gjiknuri mohoi zërat për pakënaqësi brenda strukturave, ndonëse pranon se ka kolegë që nuk i kanë realizuar pritshmëritë. 

“Nuk e di pakënaqësinë, këto mund të jenë konstatime të natyrës së anekdotave sepse unë nuk kam dëgjuar ndonjë pakënaqësi të strukturës. Natyrshëm që brenda një organizate, aq më tepër vullnetare, ka dhe pritshmëri të ndryshme. Mund të ketë ndonjë mosrealizim të ndonjë pritshmërie, por janë gjëra të një procesi që do të vazhdojë dhe do të fashitet rrugës dhe jam i bindur që PS-ja ka kaluar aq prova dhe më parë sa të mbajë të gjithë ekuilibrat e nevojshëm dhe të nxjerrë më të mirën e saj përsa i përket ekipit që ka. Kështu që nuk shoh ndonjë problem”, shtoi Gjiknuri.

Në takimin e Ramës me sekretariatin mungoi Taulant Balla, nga i cili Gjiknuri mori postin e sekretarit të Përgjithshëm. 

“Në ç’kuptim? Nuk e di, për këtë duhet të pyesni z.Balla. Por z.Balla ka një detyrë shumë të rëndësishme që është drejtimi i grupit parlamentar socialist, kështu që mendoj ndarja e dy funksioneve gjithmonë është bërë në funksion të riorganizimit më të mirë”, përfundoi Gjiknuri.

Sekretari i ri i Përgjithshëm u shpreh se socialistët po punojnë për të dalë në një platformë e cila do të konkretizojë vizionin e ri të partisë për Shqipërinë.