Në pritje të fondeve nga qeveria, rimëkëmbje e vështirë për prodhuesit e veshjeve

fasoneri paga minimale ne shqiperi nikolin jaka  1100x620

Larg niveleve të parakrizës, me fuqi punëtore të reduktuar dhe me shumë pasiguri në horizont. Kështu shfaqet gjendja këtë fillim vjeshte për prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve. Të dhënat e INSTAT për tregtinë e jashtme, tregojnë se vetëm për 7 muajt e parë të vitit, janë 63 milionë euro që mungojnë në arkat e këtyre kompanive krahasuar me vitin 2019, pavarësisht se sot ka nisur rimëkëmbja.

Krahas pasigurive që vijnë nga tregjet e huaja, e ardhmja e këtij sektori duket e vështirë edhe sa i takon krahut të punës. Për shkak të mbylljes së detyruar për javë me radhë në 2020-ën, sot llogaritet se 10 mijë punonjës janë zhvendosur në sektorë apo industri të tjera, duke krijuar një boshllëk të madh për staf të trajnuar.

Ndërkohë, industria mbetet në pritje të fondeve të premtuara nga qeveria. Pandemia dhe kërkesa e ulët në tregjet ndërkombëtare ka rënduar ndjeshëm mbi bilancet e kompanive fason dhe prodhuesve të veshje këpucëve. Një pjesë e vogël arriti të përthithë kredi nga skemat e garancisë sovrane, ndërsa për pjesën dërrmuese, huatë dhe detyrimet e tjera nuk ia lejonin këtë mundësi; duke lënë mbështetjen direkte nga qeveria si alternativë të vetme për të financuar rimëkëmbjen.