Pakënaqësi nga radhët e gjata në Morinë, autokolona deri në 12 km

Pika kufitare e Morinit mes Shqipërisë dhe Kosovës vijon të mbetet më problematikja sa i takon krijimit të radhëve për të kaluar në të dyja anët.

Këto radhë u krijuan në momentin kur Shqipëria vendosi masa anti-Covid për personat që futen në territorin shqiptar, siç janë paraqitja e certifikatës së vaksinimit apo ajo e tamponit negativ për Covid-19.

Edhe mëngjesin e kësaj së marte, si rrjedhojë e aplikimit të këtyre masave, radha e autoveturave, autobusëve dhe kamionëve që duan të futen në vendin tonë ka qenë kilometrike në brendësi të territorit të Kosovës.

Qytetarët shprehen të indinjuar për situatën e krijuar.

Edhe pse Policia Kufitare e Shqipërisë dhe Kosovës po punojnë me kapacitete të plota, radhët duken të pashmangshme për shkak të vonesave që krijon verifikimi i dokumentacionit apo dhe kryerja e tamponëve ne kufi.