Vaksinimi i detyruar, 30 shtatori është afati i fundit për mësuesit, pedagogët e studentët

Nuk do të lejohen në auditorët e shkollës, të universiteteve dhe as në konvikte të pavaksinuarit kundër Covid-19. Afati i fundit për studentët, mësuesit dhe pedagogët është 30 shtatori. Në muajin e hapur të vaksinimit, ministrja e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të marrin dozat antikoronavirus për të pasur një vit shkollor dhe akademik më të qetë.

“Kryesisht jemi duke punuar me qendrën e qytetit “Studenti” dhe për të gjithë ata studentë, të cilët do të jenë regjistruar dhe që do të shkojnë edhe nëpër konvikte, është e nevojshme që patjetër të jenë të vaksinuar. Por, nga ana tjetër, edhe për të gjithë studentët tashmë dihet që vaksinimi është edhe një kusht për të qenë sa më të lirshëm në auditor. Ne kemi vendosur që me të filluar edhe shkollat, të spostohemi edhe në universitete, në secilin prej universiteteve, sipas një kalendari që është duke organizuar Njësia Vendore e Tiranës, por nga ana tjetër dhe Njësitë Vendore në të gjitha rrethet ku ka universitete, do të mundemi pra që ne të jemi në çdo universitet, në çdo fakultet për të bërë vaksinimin për të gjithë ato studentë apo edhe pedagogë që ende nuk e kanë bërë”, deklaroi Manastirliu.

Në ditët e para të shtatorit, është rritur interesi i të rinjve, por dhe stafeve arsimore, për të marrë vaksinën anti-Covid. Deri tani, vetëm 60% e mësuesve dhe pedagogëve janë vaksinuar me të dyja dozat. Ndërkohë, pikat e vaksinimit dhe qendrat shëndetësore do të jenë të hapura në çdo ditë të javës.

“Për pedagogët dhe mësuesit kemi vendosur edhe afatin që është 30 shtatori, në mënyrë që ta kryejmë këtë proces. Janë më shumë se 60% e mësuesve që i kanë bërë tashmë të dyja dozat, pra janë vaksinuar plotësisht. Ndërkohë që presim edhe këto ditë dhe jam e bindur që brenda shtatorit ne do të arrijmë rezultate shumë të mira përsa i përket mbulesës vaksinale te kategoria e mësuesve dhe pedagogëve, por edhe edukatorëve të kopshteve dhe çerdheve, pasi edhe ato janë në fokus të punës sonë të përditshme përsa i përket vaksinimit”, tha Manastirliu.

Ekipe vaksinatorësh do të vendosen pranë universiteteve sipas nje kalendari të caktuar për të kryer vaksinimin apo për të mbyllur procesin me të dyja dozat. Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, deklaroi se është përgjegjësi e universiteteve që të sigurojnë vaksinimin e stafeve dhe të rinjve, pasi nuk kanë munguar humbjet e jetës edhe në radhët e tyre: “Dua t’ju falënderoj për këtë vendim sepse edhe në mbledhjen e Senatit, ne ju kërkuam, sidomos për studentët e universiteteve tona, që të vaksinoheshin me prioritet, pasi është e pamundur që të bëhen mësime praktike dhe studentët të mund të shkojnë te pacientët, nëse nuk janë të vaksinuar për arsye se ka një risk shumë të lartë dhe është kënaqësi për ne që na hapët këtë dritare. Ne kemi bërë që të gjithë, qoftë si rektor, qoftë si dekanë, qoftë si dekanat, u kemi bërë thirrje të gjithë studentëve tanë që ata të vaksinohen gjatë kësaj periudhe sepse është shumë e domosdoshme”.

Nga fillimi i fushatës janë vaksinuar 1 milion e gjysmë persona dhe më shumë se 600 000 i kanë marrë të dyja dozat. Ekspertët kanë theksuar se vaksinimi nuk të mbron plotësisht nga infektimi, por të shpëton nga format e rënda.

  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve
  • LAJMI I FUNDIT | Fico: Dy javët e fundit situata ka pësuar ndryshime të ndjeshme
  • LAJMI I FUNDIT | Fico: Totali i rasteve aktive mbi 12700, 458 për 100 mijë banorë
  • LAJMI I FUNDIT | Fico: Numri i humbjeve të jetës në raport me rastet është 1,6%
  • LAJMI I FUNDIT | Fico: 741 819 persona të vaksinuar me dy doza, 33% e popullsisë
  • LAJMI I FUNDIT | Bino: Mbulimi vaksinal në rritje, nuk kemi humbje të vaksinave
  • LAJMI I FUNDIT | Bino: Vaksinimi duhet të arrijë mbi 95% në të gjitha grupmoshat
  • LAJMI I FUNDIT | Kraja: 230 të shtruar në spitale, 30% e kapaciteteve ende të lira
  • LAJMI I FUNDIT | Kraja: 0,001% e rasteve në spital janë të vaksinuar
  • LAJMI I FUNDIT | Kraja: 0,0006% e viktimave nga Covid-19 janë të vaksinuar
  • LAJMI I FUNDIT | Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ndryshon masat anti-Covid
  • LAJMI I FUNDIT | Rakacolli: Arsimtarët e pavaksinuar, test PCR negativ çdo javë
  • LAJMI I FUNDIT | Bino: Incidenca te të vaksinuarit, 22 herë më e ulët se të pavaksinuarit