Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Demiraj: Kisha Ortodokse Serbe ka lidhje të drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare shqiptare

Nga A2 CNN
8 Shtator 2021, 21:35 | Politikë
Demiraj: Kisha Ortodokse Serbe ka lidhje të drejtpërdrejtë me

“Çështja e analizës së Kishës Ortodokse Serbe është serioze që ka lidhje të drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare shqiptare”. Kështu u shpreh në studion e Ditari në A2 CNN, koloneli Dritan Demiraj. Sipas tij politika dhe diplomacia në Serbi drejtohen nga kisha.

“Nga 1830 e deri më sot për të gjithë studiuesit e sigurisë në Ballkan, është i ditur roli dhe fuqia e kësaj kishe në politikëbërjen e Serbisë. Presidenti i Serbisë, kryetari i Parlamentit, Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Mbrojtjes janë 4 njerëzit më të fuqishëm. Politika dhe diplomacia drejtohen nga kisha. Kush nuk e thotë këtë nuk njeh situatën, ose nuk guxon ta thotë”.

Por Demiraj nuk përjashton ndikimin rus në kishën serbe. Ai thekson se bashkëpunon thellë me kishën në Moskë dhe një pjesë është e lidhur me rolin e ministrisë së Jashtme. Sipas tij Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një qasje të përbashkët diplomatike. Ballkani i hapur, thotë ai, nuk e favorizon Kosovën, por e lë jashtë.

“Kanë padiskutim dhe ndikim të Rusisë, bashkëpunon thellë me kishën në Moskë dhe një pjesë e rolit të ministrisë së Jashtme është e lidhur dhe ne kemi detyrë; kryeministri e presidenti i Shqipërisë dhe Kosovës duhet të bashkëpunojnë. Fatkeqësisht nuk kemi unifikim të vendimeve diplomatike. Ballkani i hapur nuk e favorizon Kosovën, e lë jashtë. Nuk mund të ketë Ballkan të hapur pa Kosovën brenda dhe Ballkani i hapur nuk i shërben Kosovës”.

Sipas Demirajt, strategjia e presidentit Vuçiç është që të nxjerrë kryeministrin e Kosovës si delja e zezë përballë ndërkombëtare. Por ai apelon që të dy vendet Shqipëria dhe Kosova të bashkëpunojnë dhe të forcohen ekonomikisht dhe politikisht. Ai sugjeron gjithashtu që dy vendet të kenë një ministri të Jashtme, për të pasur një qasje të përbashkët diplomatike.

“Është strategji e pastër e Vuçiç që së bashku me aktorë të tjerë tw nxjerrë para Europës, negociatorëve e amerikanëve që Kurti është delja e zezë, por Kurti mbron interesat kombëtare të vendit të vet. Do të ishte e udhës që të dy vendet, unë nuk shoh gjë të keqe të bashkëpunojmë ekonomikisht, por së pari duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, të fuqizohemi ekonomikisht, politikisht, të kemi një ministri të Jashtme, të kemi një qasje diplomatike gjithëpërfshirëse, por kombëtare dhe pastaj rajonale. Nuk mund të zhvillohet Ballkani pa bashkëpunim me njëri-tjetrin, por jo 3 vende kundër vendeve të tjera. Ata nuk guxojnë t’i bëjnë ftesë Kroacisë se e dinë qëndrimin e saj madje dhe Bosnja nuk ka pranuar se nuk ka interesa politike dhe ekonomike”.

Ai nuk pret asgjë nga takimi i liderëve të Ballkanit me kancelaren gjermane Angela Merkel në mes të shtatorit, për shkak të qasjes agresive dhe denigruese ndaj Kosovës. Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të zi, Demiraj i quan marioneta të Vuçiçit.

“Jo përderisa qasja ndaj Kosovës është agresive, kërcënuese fyese, denigruese. Duhet gjetur qasje gjithëpërfshirëse së pari mes kryeministrit tonë dhe Kurtit dhe pastaj për të bashkëpunuar me pjesën tjetër të Malit të Zi. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut është marionetë e Vuçiçit kështu që aktorët dhe faktorët shqiptarë në Maqedoni duhet të ishin me zë të lartë se kanë fuqi për ta frenuar kryeministrin e Maqedonisë dhe nuk do të ketë asnjë. Janë bërë me qindra takime”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë