Fitore që shënon rekord, Reja: Ishim më konkretë kur luajtëm më keq, Broja duhet duartrokitur

reja 1100x620

Lajmin më të hidhur të mbrëmjes Edy Reja e mori pas përfundimit të ndeshjes kundër San Marinos. Ndeshja nuk pati diskutim dhe rezultati 5-0 shënon një rekord të ri për Kombëtaren, në terma golavarazhi, duke thyer rezultatin 4-0 me Moldavinë në 2019.

Barazimi polak kundër Anglisë në minutat shtesë na afroi me një pikë ekipin e Lewandoskit në renditje, por Reja mendon se ndeshja e sotme tregoi se ekipi ka shanse konkrete për të kapur vendin e dytë që do të bënte konkrete ëndrrën e Botërorit në Katar.

“Na erdhi keq për lajmin e Polonisë, por jemi në vendin e dytë dhe gjithsesi kjo është e rëndësishme”, deklaroi trajneri italian i kuqezinjve pas takimit në Elbasan Arena.

Sipas tij, “në pjesën e parë luajtëm më të organizuar por nuk ishim shumë të ftohtë, ndërkohë që si paradoks në pjesën e dytë luajtëm më keq por u treguam më praktik në zonën e rreptësisë”.

Një tjetër lajm i mirë, përtej konfirmimit të grupit solid, ishte performanca e Laçit por edhe e Brojës, që Reja nuk mungon të duartrokasë. “Broja është për t’u lavdëruar, tregoi që nuk dëshiron vetëm të shënoi, por e di mirë çfarë do të thotë të kesh shokë, siç ndodhi në rastin e kombinimit me Uzunin. Performanca  e tij ishte një nga gjërat e bukura të ndeshjes”, tha Reja, me fjalë krejt ndryshe nga sfida me Hungarinë, dhe që nënkupton se për talentin në pronësi të Chelsea tashmë ka nisur një kapitull i ri, ku nuk mungon besimi për një projektim si titullar.