Mesazhi i Berishës për Bashën, analistët: Është paralajmërim, por nuk e përçan PD-në

Publikuar më: 8/9/2021, ora 20:13

Mesazhi i Berishës për Bashën, analistët: Është paralajmërim, por nuk e përçan PD-në

Publikuar më: 8/9/2021, ora 20:13

Vendosmërinë për të mos u larguar nga Partia Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha në deklaratat e fundit e ka shoqëruar edhe me një kërcënim se nëse PD-ja do të distancohej prej tij, ai do të rikthehej mes demokratëve për rivendosjen e parimeve në këtë parti.

Gazetari Ben Andoni e sheh këtë si një levë të ish-kryeministrit, bazuar në peshën morale që ka në PD, por jo ekzekutive.

Ndërsa ekspertja e komunikimit, Edlira Gjoni, rikthimin aktiv të Berishës e cilëson si kërcënim, por nuk beson se PD-ja rrezikon përçarjen: “Ndryshe nuk e shpjegoj dot një forcim kaq të madh të rolit të Berishës, veçanërisht pas shpalljes “non grata” nga SHBA-ja. Krejt papritur është kthyer në skenën politike. Dyshoj se do të përçahet PD-ja në këtë moment, për arsyen e thjeshtë se nuk do të mbijetojë i përçari”.

Andoni nuk beson se në vendimin për Berishën, kryetarit Basha mund t’i vijnë në ndihmë strukturat e partisë: “Vetëm në rast se SHBA-ja do të artikulojë një verdikt të hapur ose do të sjellë prova, atëherë ata do të gjejnë mundësinë që ta shmangin zotin Berisha. Por, deri në atë moment, ata nuk e kanë kurajon që ta shmangin”.

Për Gjonin, vetëm Berisha është ai që mund të marrë vendim nëse do të distancohet apo jo nga PD, e kjo, sipas saj, do t’i shërbente jo vetëm PD-së si parti, por edhe Shqipërisë.

Ambasadorja amerikane e ka bërë të qartë se Uashingtoni pret nga lidershipi demokrat një distancim të qartë prej Sali Berishës, pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA, me akuzën për korrupsion masiv dhe pengim të drejtësisë.