Në rënie besimi i biznesit, Indeksi i dhomës Amerikane: Ndikoi pandemia dhe progresi i ulët

Besimi i biznesit tek ekonomia ka rënë. Shkak është bërë ndikimi i pandemisë së Covid-19 dhe progresi më i ulët se sa pritej në treguesit kryesorë. Është ky përfundimi i edicionit të 9 të Indeksit të Besimit, publikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, një raport që mat perceptimin e klimës së sipërmarjes.

Besimi i biznesit në Shqipëri ra me 0.5% në 2021, duke arritur në 37.6, krahasuar me vitin e mëparshëm kur ky tregues ishte 38.1. Rënia e besimit të përgjithshëm të biznesit ishte relativisht e vogël, por e rëndësishme, pasi shënoi nivelin më të ulët të besimit nga bizneset, që nga fillimi i Indeksit në 2012.

Për më tepër, perceptimi i përgjithshëm i biznesit nuk ishte në gjendje të rikuperonte nga rënia e thellë prej 5% një vit më parë. Kontributi në një rënie të mëtejshme duket se lidhet me ndikimin e pandemisë në ekonominë shqiptare. Nevoja për një ndryshim më të fortë të politikave për reformat në mjedisin e investimeve është reflektuar gjerësisht në sondazh.

Më shumë se 71% e anëtarëve të Dhomës Amerikane perceptuan klimën e biznesit në Shqipëri si të pafavorshme. Ata vlerësojnë problem rritjen e burokracive; perceptimin e korrupsionit; monopoleve dhe konkurrencës së pandershme; ndikimin në rritje të klimës politike dhe çështjet me pronat.

Niveli i përgjithshëm tatimor i aplikuar, mbetet një shqetësim dhe konsiderohet jokonkurrues në nivel rajonal. Ndërkohë që sfidë e rëndësishme mbete gjetja e stafit të kualifikuar lokal.

E përmirësuar paraqitet situata me infrastrukturën dhe furnizimin me energji elektrike. Edhe pse veprojnë në një mjedis sfidues biznesi, kompanitë anëtare janë të angazhuara për të vazhduar aktivitetin e tyre të biznesit në Shqipëri, pasi vlerësojnë potencialet e vendit dhe shpresojnë për përmirësime të mëtejshme në reforma dhe në kuadrin ligjor.

 Ata i kërkojnë qeverisë të zbatojë shpejt reformat për të zhvilluar ekonominë e tregut dhe për të rritur rolin e saj në rajon. Në komentet e tyre, të anketuarit shprehin besimin se një mjedis transparent, me praktika të drejta dhe standarde demokratike do të garantojnë një të ardhme më të mirë për investimet dhe zhvillimin ekonomik.