SHBA reagon për qeverinë e talebanëve: Ka disa të kërkuar, mungojnë gratë

Screenshot 2 6 1100x620

SHBA-ja ka reaguar për herë të parë për qeverinë e parakohshme të shpallur nga talebanët, një ditë më parë në Afganistan.

Përmes një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit, SHBA-ja shprehu shqetësimin për mungesën e grave në qeverinë e re të talebanëve, si dhe drejtimin e saj nga disa figura të kërkuara nga drejtësia amerikane.

Kabineti i përkohshëm i talebanëve udhëhiqet nga Mullah Mohammad Hassan Akhund, i cili është në listën e zezë të OKB-së, ndërsa një figurë tjetër është Sirajuddin Haqqani, i cili kërkohet nga FBI.

Shpallja e kabinetit qeveritar nga ana e talebanëve u shoqërua me protesta në disa qytete të Afganistanit, por që u shpërndanë shpejt nga militantët.

Tre persona u qëlluan për vdekje në një protestë në Herat, ndërkohë që talebanët nuk lejuan që njerëzit të grumbulloheshin në Kabul.

Grupi islamik mori kontrollin e pjesës më të madhe të Afganistanit në një ofensivë gjithëpërfshirëse më shumë se tre javë më parë, duke dëbuar udhëheqjen e zgjedhur të mëparshme.