Sot, Shqipëri-San Marino. Fitorja detyrim, Reja me ndryshime në formacion

broja 1 1100x620

Objektiv i njëjtë, por me një formacion ndryshe. San Marino është kundërshtari ideal për të pasur vazhdimësi dhe kuqezinjtë do të jenë sot të detyruar për të siguruar 3 pikët në mënyrë që sfidat pasardhëse të muajit tetor të kenë sërish vlerë.

Gjendja e ngarkuar fizike, kartonët, por edhe niveli i kundërshtarëve i jep mundësinë trajnerit Edi Reja të hedhë në fushë emra të rinj, por gjithmonë me skemën e tij të zakonshme. Katërkëndëshi sot pritet t’i besohet Thomas Strakoshës, edhe për t’i dhënë kurajo portierit të Lazios që po vuan me aktivizmin në Itali.

Në mbrojtje pritet rreshtim i njëjtë, me Elseid Hysajn që rikthehet pas pezullimit të kartonëve, këtë herë edhe me shiritin e kapitenit.

Në mesfushë do të mungojnë Abrashi i dëmtuar dhe Gjasula për shkak të kartonëve, emra që pritet të zëvendësohen nga Laçi e Çekiçi, por edhe Bare që është sërish i disponueshëm. Në varësi të gjendjes fizike, edhe Nedin Bajrami pasi shkëlqeu me Hungarinë, pritet të ketë sërish hapësirë sot në formacion.

Dyshja e sulmit mbetet në pikëpyetje. Me Cikalleshin që është ende në dyshim për shkak të shqetësimit në gju, Uzuni dhe Broja duket se kanë fituar vendin në formacion pas paraqitjes kundër Hungarisë.

Shqipëria ka aktualisht 9 pikë në grupin I. Me një fitore ndaj San Marinos, shoqëruar nga një humbje e mundshme e Polonisë përballë Anglisë, kuqezinjtë do ta gjenin veten në vendin e dytë pas 6 ndeshjeve të para.