17 betime para Metës për të formuar “Rama 3”

Nisja e Parlamentit shënon edhe hapin e parë për mandatimin e qeverisë “Rama 3”. Pas zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, do të jetë radha e Kryeministrit Edi Rama për të marrë votëbesimin në Parlament, për t’u paraqitur më pas para Presidentit të Republikës, ku i gjithë kabineti duhet të betohet me dorën mbi Kushtetutë, para se të nisë zyrtarisht detyrën. 

Socialistët nuk pritën nisjen e Parlamentit për t’i kërkuar Presidentit Ilir Meta mandatimin e Edi Ramës si kryeministër për katër vitet që vijnë. Këtë hallkë proceduriale, ata e bënë një javë përpara nisjes së seancës së parë plenare.

Kësisoj, sipas përcaktimeve në Kushtetutë, Presidenti Ilir Meta do të thërrasë në Presidencë Edi Ramën për ta mandatuar. Një situatë paradoksale, pasi Rama ishte ai që urdhëroi deputetët e legjislaturës së shkuar votimin për shkarkim të Ilir Metës.

Pas kësaj, do të jetë radha e kryeministrit që emrat e kabinetit të ri qeveritar, të bëra tashmë publike, t’ia përcjellë për dekret Presidentit Ilir Meta. 15 ministrat dhe zv/kryeministri duhet të marrin firmën e Kreut të Shtetit, i cili ka 1 javë kohë për të shqyrtuar propozimet e Edi Ramës. 

Më pas, Kreu i Shtetit pritet të hedhë firmën për secilin ministër e më pas 17 anëtarët e kabinetit qeveritar do të shkojnë për votëbesim në Parlament, së bashku me programin qeverisës.

Presidenti Meta nuk ka hezituar në të shkuarën që të refuzojë kandidatura për ministër që nuk gëzonin pëlqimin e tij, por vendimi i pak muajve më parë i Gjykatës Kushtetuese nuk duket t’i lërë shumë shteg për manovra politike.

Përtej këtij vendimi, edhe vetë Ilir Meta duket se ka ndryshuar qasje. Që pas vendimit të Parlamentit për ta shkarkuar nga detyra, Presidenti ka shmangur konfliktin me mazhorancën socialiste.