Arsimi i lartë, studentët shqiptarë “zbrazin”auditorët, preferojnë universitetet në Europë

Këtë vit, auditorët e universiteteve në Shqipëri do të kenë afro 124 mijë studentë. Sipas INSTAT, ky është numri më i ulët i pjesëmarrjes që prej vitit 2017, me 12% më pak studentë.

Amra Karini, është një prej maturanteve që ka vendosur të studiojë në Holandë, në degën Fizikë e Aplikuar. Marrjen e vendimit e kishte të lehtë, pasi nuk besonte së Shqipëria do t’i ofronte dijet që lakmon.

“Nëse do të mbaroja, nuk do të kisha treg pune. Në Holandë, ka një mundësi punësimi më të lartë. Mungon informimi në Shqipëri, për marrëdhënien pedagog-studentë, punën laboratorike”, tregon Amra.

Klejvis Verteniku ka zgjedhur Rusinë për të ndjekur studimet në mjekësi. Ai nis së shpejti vitin e dytë dhe në shtetin lindor ka gjetur eksperiencën e kërkuar. 

Ndryshe nga universitetet europiane që bazohen mbi trajnimet studentore, si dhe vendosmërinë personale për të ndjekur një degë të caktuar, universitetet në Shqipëri i kanë varur shpresat te mesatarja.

Ikja e trurit, fill pas arsimit parauniversitar, sipas ekspertëve është një boshllëk që nuk mund të mbushet lehtë. Për të shmangur zbrazjen e auditorëve, ata sugjerojnë ndryshimin e sistemit arsimor, duke iu përshtatur kërkesave të studentëve.