Berisha pas përjashtimit nga grupi i PD: Basha duhet të jepte dorëheqjen para vendimit. I kërcënuar nga Rama e Soros

Berisha pas përjashtimit nga grupi i PD: Basha duhet të jepte dorëheqjen para vendimit. I kërcënuar nga Rama e Soros
Pas vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD, ka ardhur edhe reagimi i liderit historik të PD-së. Ish-kryeministri Berisha thekson se vendimi i sotëm i Bashës është jashtë çdo norme statutore dhe ligjore, që asgjëson PD-në si parti sovrane. Berisha thekson se Basha së pari duhet të mendonte dorëheqjen e tij para se të merrte këtë vendim. Sipas tij Bashën e kanë kërcënuar me sanksione Rama dhe Sorosi.
“Vendimi është jashtë çdo lloj norme statutore dhe ligji të vendit. Një vendim të tillë një njeri që respekton parimet parlamentare nuk mund ta marrë pa presionin e jashtëzakonshëm por pavarësisht nga presioni mendoj se disa herë më parë do të konsideronte dorëheqjen e tij sesa të dorëzonte sovranitetin e PD. PD është një institucion i sovranitetit të vendit. Me njoftimin që shpalli Basha dëshmoi se bëri atë që bëri Ilirjan Celibashi, vendosi të dorëzojë sovranitetin të asgjësojë PD, si parti sovrane për shkak të presioneve të jashtëzakonshme të lobimit korruptiv të Ramës e Sorosit. Jam i sigurt që Bashën e kanë kërcënuar më sanksione, për këtë nuk dyshoj”.
Sipas Berishës për të marrë një vendim të tillë, Basha duhet të mblidhte kongresin e PD, të ndryshonte statutin dhe të vendoste një nen në statut, në të cilin të sanksionohej përjashtimi nga grupi apo drejtimi i partisë i personave që dizenjohen non grata nga SHBA apo vend tjetër. Berisha thekson se ky vendim është nul .
“PD nuk mund të jetë kurrë një forcë politike ku drejtuesit apo deputetë t’i caktojë një vendim se këtu merr fund gjithçka. Nëse PD i është bërë goditja më fatale që mund t’i bëhet një force politike. Unë kuptoj presionin e madh e të jashtëzakonshme që Rama ka arritur të realizojë objektivin e tij, por një vendim i tillë asgjëson PD. Për të marrë një vendim të tillë Basha duhet të mblidhte kongresin e PD, të ndryshonte statutin dhe të vendoste një nen në statut në të cilin të sanksionohej përjashtimi nga grupi apo drejtimi i partisë i personave që dizenjohen non grata nga SHBA apo vend tjetër. Ky nen nuk ekziston pa transparencën. Ai shpalli një vendim që është nul, sepse është vendimi i tij dhe asnjë forumi të PD, kur thelbi është dorëzimi i sovranitetit të PD. Shqipëria me këtë rast ka humbur dhe gjithë shoqëria ka humbur”.
Berisha përsëriti se do të vazhdojë të qëndrojë në PD për t’i kthyer asaj sovranitetin dhe nesër do të jetë në parlament.
“Unë do të qëndroj në mbrojtje të dinjitetit tim dhe sovranitetit të këtij vendi dhe PD. Më kanë kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme. Unë kam hedhur në gjykatë për shpifje njeriun që ka firmosur vendimin se besoj se janë keqinformuar. Nuk ka asnjë diskutim, nesër do të jem në parlament”.