Berisha sulmon Bashën: PD ka patur mbështetje të fuqishme nga Soros

Berisha 1100x620

I ftuar në një intervistë televizive, ish-kryeministri Berisha shtoi akuza të tjera ndaj kreut të PD Lulzim Basha. Sipas tij, gjatë lidershipit të këtij të fundit, “Partia Demokratike ka patur mbështetje të fuqishme nga Soros”, duke kujtuar një episod të veçantë.

“Në vitin 2016 po të kishte shkuar në derën e Parlamentit gjeje një grup OJF me në krye ambasadorin amerikan Donald Lu, që me altoparlant thoshin,  Basha mos blloko reformën!”.  

Berisha  mohoi probleme me administratën amerikane deri më tani, dhe shtoi se “në qoftë se ju thoni që për të fituar zgjedhjet PD duhet t’i dorëzohem George Soros, PD nuk ka për t’i fituar kurrë”.

Më parë ai deklaroi se  “sot, Partia Demokratike është shndërruar në një parti pa sovranitet, e cila dorëzohet e tëra lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros”.

Ndërkohë, A2 CNN ka mësuar se deputetë të shumtë gjatë mbledhjes së Kryesisë së Grupit të PD-së, kanë theksuar se ky vendim “mohon historinë e kësaj partie dhe është i gabuar”.

Ish-kryeministri Sali Berisha është përjashtuar nga grupi i Partisë Demokratike. Vendimi u publikua sot nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat.

Sipas tij, ky vendim bëhet “për të shmangur çdo keqkuptim deri në përfundim të kërkesës ligjore për transparencë”, pas shpalljes “non grata” nga DASH të Sali Berishës.