Rama për CNN: Pengesa për evakuimin e afganëve, një lojë brenda Afganistanit

rama 62 1100x620

Një lojë brenda Afganistanit dhe jo mungesë të vullnetit nga ndonjë palë tjetër, është ajo që beson kryeministri Edi Rama sa i takon pengesave për evakuimin e shtetasve afganë në Shqipëri. Në një intervistë për CNN, kreu i qeverisë shqiptare u shfaq skeptik dhe tha se nuk mund të spekulojë në lidhje me këtë problem.

“Qysh prej një jave nisëm të bashkëpunojmë me miqtë tanë të angazhuar në këtë operacion, çdo ditë del nga një gjë ere.  Askush nuk e kupton dot se ku është problemi. Kemi bërë për këta njerëz atë që kemi bërë edhe për të tjerët mesa duket ky aeroport është problematik por nuk mund të spekuloj se ku qëndron problemi, por nuk do të habitesha nëse kjo do të ishte një lojë e talebanëve që ç’thonë sot e ndryshojnë nesër”.

Rama njoftoi se nga përditësimet e fundit që ka marrë, talebanët nuk do të lejojnë largimin e njerëzve pa pasaporta, ku edhe fëmijët bëjnë pjesë në këtë kontingjent. Sipas tij kjo do të çonte në një fazë të re pengesash.

“Lajmi i fundit është që e kanë ndryshuar fjalën që do të lejojnë vetëm njerëzit me pasaporta, por fëmijët nuk kanë pasaporta dhe historia do të hyjë në fazë të re pengesash e ngecjesh.

Ata që duhet të flasin me talebanët duhet të kenë kompetencën dhe trysninë për të folur. Ajo që po bëjmë është të jemi në kontakt me miqtë tanë që janë të angazhuar me këtë nismë njerëzore për të shpëtuar jetën e njerëzve të ekspozuar. Kam prirjen të besoj që kjo është një lojë brenda Afganistanit dhe jo mungesën e vullnetit nga ndonjë palë tjetër”.