“Shkelje e të drejtave të njeriut”, kërkohet zgjidhje për radhët në Morinë

Kr Radhet ne Morine frame 308 1100x620

Vendosja e masave anti-covid në kufi nga Shqipëria dhe Kosova i ka bërë të pashmangshme pritjet dhe kolonat e gjata në të dyja anët e kufirit të përbashkët. Masat anti-covid po ngadalësojnë gjithashtu edhe lëvizjen mes dy vendeve.

Kolonat për të hyrë në Shqipëri po krijohen kryesisht gjatë paraditeve që arrijnë deri në 12 km në thellësi të territorit të Kosovës. Ndërsa për të hyrë në Kosovë, kolonat më të gjata krijohen gjatë orëve të mbrëmjes.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka reaguar për kolonat e gjata që po krijohen në pikëkalimin kryesor kufitar të Kosovës me Shqipërinë.

KMLDNJ ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të gjejnë zgjidhje për problemin e krijuar në kufi nga masat e vendosura për parandalimin e pandemisë.

“KMDLNj shpreh pakënaqësi dhe konsideron se qeveria e Kosovës si dhe e Shqipërisë, me veprime të ngutshme kanë përgjegjësi për krijimin e një kaosi në këtë pikëkalim dhe se kanë dështuar në menaxhimin e situatës së krijuar.

Është e kuptueshme që në situata të rralla, kryesisht për shkaqe teknike apo pengesave të krijuara për shkaqe atmosferike mund edhe të krijohen probleme në lëvizje të qytetarëve, por KMDLNj e kundërshton këtë kufizim të lirisë së lëvizjes si shkelje e të drejtave të njeriut e që tani thuajse është shndërruar në rregull në pikëkalimet kufitare me Serbinë e që tash po veprohet ngjashëm edhe me Shqipërinë.

KMDLNj ka ftuar qeverinë e Kosovës dhe të Shqipërisë të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që të mënjanohen pritjet e gjata, deri në 6-7 orë në pikëkalimin në Morinë dhe t’i kursejnë nga maltretimet shtetasit e të dy shteteve që për arsye të ndryshme janë të detyruar ta shfrytëzojnë këtë pikëkalim. Edhe më parë ka pasur kufizime për shkak të pandemisë, mirëpo situata ishte menaxhuar më mirë dhe nuk ka pasur pritje të gjata” , thuhet në fund të reagimit të KMLDNJ-së.