Strazimiri: Asnjë kryetar PD-je nuk ka patur kompetencë për përjashtimin e askujt

Strazimiri: Asnjë kryetar PD-je nuk ka patur kompetencë për përjashtimin e askujt
Gent Strazimiri, me anë të një postimi në Facebook, është shprehur kundër vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.
“Në 30 vjet ekzistencë të saj, asnjë kryetar i Partisë Demokratike nuk ka patur kompetencë të përjashtojë ASKËND, KURRË!!! Nuk ekziston një kompetencë e tillë!!! Kjo është e vërtetë, ashtu sikurse dielli do të lindë sërish nesër”, shkruan Strazimiri në rrjetin social.
Ish-kryeministri Sali Berisha është përjashtuar nga grupi i Partisë Demokratike. Vendimi u publikua sot nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat.
Sipas tij, ky vendim bëhet “për të shmangur çdo keqkuptim deri në përfundim të kërkesës ligjore për transparencë”, pas shpalljes non grata nga DASH të Sali Berishës.
“Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, tha Basha.