Tragjedia e Tetovës, Pendarovski: Kam kërkuar ekspertizë ndërkombëtare

Sink Pendarovski frame 772 1100x620

Repartin e shkrumbuar të COVID në spitalin e Tetovës, e ka vizituar edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Ai është shprehur se institucionet janë të angazhuara maksimalisht për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve që sollën këtë tragjedi. Ndërsa ka njoftuar se ka kërkuar edhe ekspertizë të jashtme, e cila pritet të mbërrijë brenda 48 orëve.

“Autoritet e përfshira në hetimin e rastit janë duke punuar që të përcaktojnë shkaqet e këtij zjarri që dogji brenda pak minutash të gjithë objektin.

Nuk kam asnjë dyshim që brenda një kohe të shkurtër do të mësojmë shkaqet e vërteta të kësaj ngjarje. Kam thirrur edhe ekspertizë të jashtme, e cila pritet të mbërrijë brenda 48 orëve dhe  që do të ndihmojë ekspertët tanë në përcaktimin e shkaqeve dhe hetimin e plotë të ngjarjes, nëse kemi të bëjmë me një aksident, apo me ndonjë gabim njerëzor.

Unë nuk kam asnjë të dhënë që ngjarja të jetë e qëllimshme. Por në fund do të jenë autoritetet ato që do të thonë fjalën e tyre. Dhe në bazë të hetimit do të kërkohen edhe përgjegjësitë  ligjore dhe morale të rastit në fjalë”, ishin fjalët e Pendarovskit.