Tragjedia në Tetovë, prokuroria jep detaje: Konfirmohen 14 të vdekur, asnjë personel mjekësor

Prokuroria ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen tragjike të mbrëmjes së të mërkurës ku spitali Covid i Tetovës u shkrumbua nga zjarri.

Prokuroria ka konfirmuar 14 persona të vdekur, ndërsa thekson se deri tani asnjë personel mjekësor nuk është mes viktimave.

“Prokurorët kanë dhënë urdhra për obduksion dhe identifikim të trupave të 14 të vdekurve në zjarr, kurse po hetohet nëse ka të vdekur të tjerë. Për disa nga të viktimat do të duhet analizë ADN që të vërtetohet identiteti i tyre. Sipas njohurive fillestare, mes të vdekurve nuk ka personel mjekësor. Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët kanë marrë në pyetje të punësuarit në spitalin modular me qëllim të vërtetimit të pasojave të zjarrit. Në të njëjtën kohë është dhënë urdhër për sigurim të incizimeve nga video-ekspertiza në dhe rreth objektit. Ekspertiza do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme, kurse prokurorët publikë bashkë me ekspertët e MPB-së do t’i sigurojnë dëshmitë për zbardhjen e tërësishme të ngjarjes tragjike”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.