Vaksinimi ndaj Covid-19, Kosova aplikon dozën e tretë duke nisur nga viti 2022

Autoritetet shëndetësore në Kosovë konfirmojnë situatën e rëndë nga pandemia koronavirus. Rastet ditore pësuan rritje pas një rënie të lehtë në ditët e fundit, ndërsa numri i jetëve të humbura mbetet alarmant.

Sipas të dhënave zyrtare, në muajin e fundit janë raportuar 43 mijë të infektuar me Covid-19 dhe mbi 400 viktima.

Qeveria e Kosovës e ka bazuar luftën e saj ndaj pandemisë në vendosjen e kufizimeve dhe përshpejtimin e fushatës së vaksinimit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, konfirmoi aplikimin e një doze përforcuese të mbrojtjes ndaj koronavirusit.

“Profesionistët nga IKSHP para disa ditësh na kanë bërë me dije të qartë në MSH se do të ketë nevojë sipas gjitha gjasave. Marr këtu parasysh edhe përvojën e disa vendeve që përkundër vaksinimit me dy doza patë shpërthim infeksioni me variantin Delta që do ketë nevojë edhe për dozën e tretë dhe menjëherë ne kemi filluar ashtu siç përmenda edhe sot në konferencë negocimin për sigurimin e dozës së tretë e cila do jetë në dispozicion në vitin e ardhshëm për qytetarët e Republikës”, u shpreh Vitia.

Ministri adresoi dhe furnizimin me ilaçe për trajtimin e pacientëve me Covid-19.

“Proceduarat për remdesivirin veç se kanë filluar janë para përfundimit, shpresojmë që deri në fund të kësaj jave do të sigurohet nëse jo në fund të kësaj jave në fillim të javës tjetër do të jenë në klinikat tona”.

Ai përsëriti se kufizimet për luftimin e pandemisë nuk do të zbuten.