Zjarri në spitalin Covid të Tetovës, rritet numri i viktimave

Ka shkuar në 14 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu mbrëmjen e së mërkurës spitalin modular të Tetovës, ku trajtoheshin të sëmurët me koronavirus.

Burime zyrtare bëjnë me dije se mes viktimave ka pacientë, por edhe pjesëtarë të stafit mjekësor.

Zjarri i fuqishëm në këtë strukturë spitalore është paraprirë nga një shpërthim që mendohet të jetë shkaktuar nga oksigjeni që përdoret për të sëmurët me covid. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak dhe të materialeve që përdoren në spital.

Në momentin e ngjarjes në spital mendohet të kenë qenë të shtruar 24 pacientë. 30 forca zjarrfikëse dhe disa mjete shkuan në vendngjarje dhe arritën të vënë flakët në kontroll, pas disa orësh.

Autoritetet zyrtare mendojnë se bilanci i viktimave mund të thellohet ende pasi ka ende persona të humbur.

Një ekip hetimor prej 5 prokurorësh nga Tetova dhe Shkupi është ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë që tronditi mbarë opinionin.

Kryeministri Zaev e ka konsideruar një tragjedi të madhe ngjarjen në Tetovë. Pasi ngushëlloi familjarët e viktimave, kreu i shtetit kërkoi hetimin e plotë të ngjarjes.

“Një tragjedi e madhe ka ndodhur në qendrën COVID-19 në Tetovë. Një shpërthim shkaktoi një zjarr. Zjarri u shua, por edhe shumë jetë u shuan. Lufta për jetën vazhdon ende, dhe të gjitha shërbimet janë përgjigjur me sakrifica dhe shpëtim njerëzish. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të afërmit e të ndjerit dhe uroj shërim të shpejtë të plagosurve. Shkaqet e zjarrit do të përcaktohen, për të cilat autoritetet gjyqësore janë tashmë në terren. Kjo është një ngjarje vërtet tragjike dhe mund t’ju ​​siguroj se e gjithë lidershipi shtetëror është i përkushtuar për zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate”, shkruan Zaev.

Mesazhe ngushëllimi në drejtim të familjarëve të viktimave dhe autoriteteve maqedonase në këto momente të vështira kanë shkuar dhe nga liderët më të lartë politikë nga Shqipëria dhe Kosova.

  • LAJMI I FUNDIT | Apeli lë në fuqi dënimin me 2 vite burg për Adriatik Llallën
  • LAJMI I FUNDIT | Ish-kryeprokurori është shpallur fajtor për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë