Betohen deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë. Nis votimi për Lindita Nikollën, opozita gris fletët e votimit, Berisha largohet

10 SHTATOR PARLAMENTI ORA 17 P2 frame 25702 1100x620

Në seancën parlamentare të orës 17:00 të drejtuar nga deputetja më e vjetër në moshë Luljeta Bozdo, u betuan 140 deputetët e rinj pas miratimit të emrave të tyre nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve. Kur po votohej për Lindita Nikollën në postin e kryetares së parlamentit, opozita ka grisur fletët e votimit në shenjë proteste dhe për të evituar rrjedhjen e votave, ndërsa Sali Berisha i përjashtuar tashmë nga grupi i PD-së u largua nga salla dhe nuk mori pjesë në votim.

Kryetarja e Komisionit të Verifikimit të Mandateve Klotilda Bushka ka hapur seancën e pasdites në Kuvend, ku u betuan edhe deputetët e rinj të kësaj legjislature.

Komisioni i Verifikimit të Mandateve ka verifikuar mandatet për 140 deputetët dhe zëvendësimin e 4 mandateve të lëna nga Gramoz Ruçi, Najada Çomo, Lefter Koka dhe Mark Marku. Partia Socialiste ka marrë 74 mandate, PD-AN 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate. Gramoz Ruçit i ka kaluar Mirela Pitushit, Najada Çomo është zëvendësuar nga Mimi Kodheli, Lefter Koka nga Denis Deliu dhe Mark Marku nga Elda Hoti.

“Në emër të komisionit të përkohshëm të verifikimit të mandateve, po ju paraqes raportin e miratuar unanimisht. Komisioni është mbledhur sot dhe në mbledhje morën pjesë të gjithë anëtarët. Më datë 25 prill u zhvilluan zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Në këto zgjedhje morën pjesë 17 subjekte zgjedhore. Bazuar në vendimin 21 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen përfundimtar të zgjedhjeve, përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë, subjektet: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste dhe Partia Social Demokrate. Komisioni ka përllogaritur ndarjen e mandateve dhe kandidatët fitues. Sipas vendimit të KQZ, shpërndarja e mandateve është, 74 mandate PD, 59 PD, 50 mandate Partia Demokratike, 1 mandat Partia Agrare, 3 mandate Partia Republikane, 2 mandate PDIU. 4 mandate LSI dhe 3 mandate PSD. Komisioni i përkohshëm administroi vendimin e KQZ listën emërore të deputetëve të zgjedhur, shkresën e depozituar në Kuvend nga KQZ. Katër deputetë kanë dhënë dorëheqjen e mandateve. Në emër të të gjithëve kam kënaqësi t’ju uroj suksese në këtë detyrë dhe sa me më shumë punë dhe rezultate në interesin e shqiptarëve”, tha Bushka.

Pas miratimit nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve, Luljeta Bozo e cila drejton seancën si deputetja më e madhe në moshë, ka lexuar një për një emrat e 140 deputetëve.