Carolina Herrera zbret në pasarelë në 40-vjetorin e Shtëpisë së Modës

Ishte radha e shtëpisë së Modës Carolina Herrera të prezantojë në Javën e Modës në Nju-Jork, koleksionin e ri pranverë/verë 2022, që përkoi edhe me 40-vjetorin e krijimit të brendit.

Pikërisht në Upper East Side, veriperëndimi i Manhatan, 40 vite më parë, Carolina Herrera, stilistja me origjinë venezuelase prezantoi koleksionin e saj të parë.

“Kam qenë shumë e emocionuar për këtë koleksion, për 2 arsye. E para, sepse është 40-vjetori i shtëpisë Herrera. Dhe e dyta, sepse kam pritur prej 18 muajsh për të zbuluar këtë koleksion në pasarelë. Kam pritur gjatë dhe këto veshje janë pasqyrimi më i qartë i femrës Herrera.”

Fustane dhe kostume elegante, mëngë të përpunuara dhe silueta klasike, dominuan veshjet e modeleve në pasarelë, me një koleksion dedikuar femrave, aty ku Herrera asnjëherë nuk zhgënjen.

“Këtë vit, sigurisht që për shkak të Covid, ne bëmë një prezantim shumë intim, shumë ndryshe nga sa jemi mësuar. Por tani jemi në këtë galeri arti në qendër të Nju-Jorkut. Carolina Herrera është një brend që i dedikohet femrave të fuqishme, sharmante dhe të mahnitshme. Çdo femër transformohet kur vesh një fustan Carolina Herrera”

Herrera i mbetet besnike ngjyrave klasike, të bardhës dhe të zezës, në veshje, këpucë e aksesorë. Për një femër edhe më të fuqishme, jo vetëm në rrugë e në zyrë, shtëpia e modës sugjeron për pranverën dhe verën e ardhshme, edhe ngjyrat, ku spikat roza dhe e kuqja.