“Gratë duhet të bëjnë fëmijë”, talebanët justifikojnë mospraninë e tyre në qeveri

Untitled collage 2021 09 10T124921.207 1100x620

Talebanët reaguan edhe njëherë pas kritikave të shumta të marra nga ndërkombëtarët pasi në qeverinë e tyre të re të saposhpallur nuk kishte asnjë grua në kabinet.

Zëdhënësi i grupit taleban, Sayed Zekrullah Hashim, gjatë një interviste televizive, u shpreh se gratë nuk mund të kenë mbi supe një peshë që ato nuk e mbajnë dot.

“Një grua nuk mund të jetë ministre. Është njësoj si t’i varësh në qafë një peshë që nuk mund ta përballojnë. Nuk është e nevojshme që një grua të jetë pjesë e qeverisë, ato duhet të bëjnë fëmijë”, u shpreh ai.

Zëdhënësi i talebanëve foli gjithashtu dhe për protestat e grave për të drejtat e tyre.

“Katër gra që protestojnë në rrugë nuk përfaqësojnë gratë e Afganistanit. Gratë e Afganistanit janë ato që u japin fëmijë njerëzve në Afganistan, të cilët i edukojnë ata sipas vlerave islame”, u shpreh Sayed Zekrullah Hashim.