Kurti: Vaksinimi dhe zbatimi i masave po japin rezultat

kurti 1 1100x620

Kufizimet dhe vaksinimi po japin rezultat në Kosovë në luftën ndaj pandemisë koronavirus. Kështu pretendon kryeministi, Albin kurti, i cili tha se vala e re me raste të shumta ditore dhe humbje jetësh ishte e befasishme dhe e paparashikuar.

“Vaksinimi dhe zbatimi i masave që ka vendosur qeveria, kanë filluar të japin rezultatet. Brenda javës së fundit kemi zvogëlim të rasteve aktive për 25%. Pozitiviteti i rasteve ka rënë në 6.48%.

Numri i pacientëve në spitale ka rënë me 13.4%. Rreziku, vuajtjet, dhimbja mbeten mes nesh, ndërkohë që ne po bëjmë çka është e mundur për t’i zvogëluar ato me vaksinat që kemi siguruar, do të kalojmë më lehtë se shumë vende të tjera, sepse është vërtetuar që vaksinimi ia zvogëlon shumë kapacitetin virusit.

Besojuni profesionistëve, por edhe të afërmve tuaj që kanë pasur përvojë me COVID-19. Përhapja e variantit Delta nuk është progresive, por eksplozive. Infektimi sjell rrezik të lartë dhe vaksinimi e zvogëlon atë rrezik deri në 95%. Vaksinimi dhe testimi, maska, distanca dhe higjiena na mundësojnë dhe sigurojnë dalje nga kriza e pandemisë nga kjo emergjencë shëndetësore”, u shpreh Kurti.