Mblodhi fletët e grisura të votimit, Rama: Ky mandat, shumë i rëndësishëm në përpjekjen për të pastruar Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama, pas daljes nga Parlamenti, pas zgjedhjes së zonjës Lindita Nikolla si kryetare e Kuvendit, u shpreh se “ishte moment i rëndësishëm dhe i bukur për ne sepse nga sot, Kuvendi ka në krye një grua të admirueshme, kolege të respektuar nga të gjithë dhe një politikane e cila asnjëherë nuk i ka fryrë zjarrit të konfliktit”.

Lidhur me gjestin e tij të mbledhjes së letrave të votimit të grisura nga deputetët e Partisë Demokratike, Rama tha: “Ky mandat do të jetë shumë i rëndësishëm në përpjekjen për të pastruar Shqipërinë. Së shpejti, do të marrim edhe një vendim për ndalimin e qeseve plastike për përdorim individual dhe do të dalim me një paketë të re që zonat turistike dhe rurale të kenë nivel tjetër përgjegjshmërie në raport me mjedisin. Ishte gjest krejt instiktiv, në kushtet kur kjo pjesë e programit është e rëndësishme”.