Mori ryshfet për të mbuluar shkeljet e kompanisë minerale, arrestohet drejtori i IKMT Dibër

ryshfet 1100x620

Drejtori i IKMT-së në qarkun e Dibrës dhe administratori i një kompanie që operon në fushën minerare në këtë qark kanë rënë në prangat e policisë, për korrupsion dhe abuzim me detyrën.

Në operacionin policor “Bankomati” u bë i mundur arrestimi në flagrancë i L. M., 56 vjeç, , banues në Tiranë, me detyrë drejtor i IKMT-së në qarkun e Dibrës dhe E. E., 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një kompanie që operon në fushën minerare në qarkun Dibër.

“Arrestimi i këtyre personave u bë pasi drejtori i IKMT, në Qarkun e Dibrës, ka abuzuar me detyrën duke marrë ryshfet nga shtetasi E. E, administratori i kompanisë, shumën prej 50 000 lekë të rinj, për të mos filluar procedurën për shkeljen e konstatuar te ky subjekt nga grupi i kontrollit për mungesën e dokumentacionit, si lejen mjedisore dhe dokumente të tjera”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në cilësinë e provës materiale shtetasit  L. M, iu sekuestruan 50 000 lekë të rinj të cilat ia kishte dhënë shtetasi E.E.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit L.M, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 29 500 euro, 1300 dollarë dhe 896 000 lekë të rinj.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.