Nishani: Basha ka vepruar si një skuth! Kushdo që hesht sot, është bashkëfajtor për asgjësimin e PD

13 SHTATOR 2019 BUJAR NISHANI INTERVISTA frame 40590 1100x620

Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar me akuza të ashpra ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha, për vendimin e tij për të përjashtuar nga grupi parlamentar ish-kryeministrin, Sali Berisha.

Nishani e ka cilësuar Bashën një “skuth” që hyri në PD pa asnjë kontribut.

“Kushdo që hesht sot, është bashkëfajtor në asgjësimin e partisë”, shkruan mes të tjerash Nishani.

Postimi i Bujar Nishanit

Një njeri i katapultuar në krye të Partisë Demokratike, pa asnjë kontribut politik e partiak, pa asnjë sakrificë dhe eksperiencë në beteja politike, një përfitues i përhershëm pa kurrfarë meritash, vendos të përçajë në mënyrë fatale atë parti.

Lulzim Basha fyen, përçmon e injoron çdo institucion e rregull minimal në Partinë Demokratike, duke marrë një vendim ekstrem, të përjashtimit nga Partia Demokratike të themeluesit të saj pa asnjë diskutim në forumet e partisë, pa asnjë mbështetje në statutin dhe rregullat legale të partisë, pa asnjë procedurë vendimarrëse të Kryesisë, Këshillit Kombëtar apo Kuvendit të Partisë Demokratike !

Vendimet personale, në fshehtësi, në mungesë të diskutimit midis të zgjedhurve legjitim të demokratëve, jashtë forumeve të partisë, janë karakteristika të një skuthi politik.

Ky akt është dhunim i rëndë i parimeve më fondamentale të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë !

Ky është Lulzim Basha që u katapultua politikisht me misionin e asgjesimit të Partisë Demokratike, asgjesimin e së djathtës në politikën shqiptare, asgjesimin e alternativës qeverisëse përballë së majtës, trashegimtare e stalinistëve shqiptarë filoserbe.

Ky është sot pengu dhe argati i Edi Ramës, në krye të Partisë Demokratike !

Demokratët, shqiptarët e ndershëm, njerëzit e lirë dhe patriotë duhet të mos dorëzohen përballë këtij provokimi të rëndë për asgjesimin e fondamenteve me bazike të demokracisë.

Cilido që beson tek vlerat, parimet dhe morali, duhet të luftojë çdo ditë për ringritjen e Partisë Demokratike, për rivendosjen e parimeve dhe garancive bazë të lirisë, të së drejtës dhe demokracisë në këtë vend.

Kushdo që hesht sot është bashkëfajtor në asgjesimin e asaj partie dhe vlerave të demokracisë në tërësi.