Përjashtimi i Berishës, Rama: E shkuara nuk është halli im, dora e shtrirë ndaj PD

Pas daljes nga Kuvendi, në seancën e parë të kësaj legjislature, kryeministri Edi Rama u prit nga gazetarët, të cilët kërkuan t’i merrnin një koment në lidhje me përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së.

Kreu i Partisë Socialiste u shpreh se mazhoranca sheh vetëm nga e ardhmja dhe nuk e kthen kokën pas.

“PS-ja e ka të pamundur të shikojë nga lart poshtë pasi humb horizontin. Ne jemi shumë lart dhe nuk mund të ndalojmë, të kthejmë kohën prapa, të ulim kokën poshtë, për të parë se çfarë ndodh, ne do të shkojmë para dhe kush do të bashkohet me ne është i mirëseardhur. E shkuara mbetet e shkuar, ne jemi e ardhmja”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, ai u pyet edhe për mundësinë e një bashkëpunimi me Bashën, tashmë që Berisha nuk është më pjesë e grupit parlamentar të PD-së.

“Ne vijmë në Kuvend për mandatin e tretë me dorën e shtrirë. Kjo është diçka që e kam thënë në krye të herës dhe dora është e shtrirë për të bashkuar në funksion të vendit”, tha Rama.