Tregu i punës në pandemi, 36 mijë vende pune më pak, por administrata u fry

Efekti i pandemisë është ende i pranishëm në ekonomi, me dhjetëra mijëra vende pune më pak se përpara nisjes së krizës.

Llogaritjet e INSTAT, që përfshijnë të dhënat e tatimeve, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe ata të punësuar në të zezë, flasin për rreth 1 milion e 238 mijë të punësuar në fund të Qershorit, apo 36,811 vende pune më pak.

Rënia më e fortë ka ardhur nga sektori bujqësor, që pavarësisht rritjes së eksporteve, ka sot 47 mijë të punësuar më pak se përpara krizës. Një pjesë e tyre janë zhvendosur në sektorin privat, që numëron më shumë të punësuar se në fund 2019-ës. Këto janë kryesisht vende pune në ndërtim, sektor që përfitoi nga mbyllja e kufijve për të mbajtur punëtorët sezonalë që në të kundërt do të drejtoheshin në vendet e Bashkimit Europian.

Por ajo që bie më shumë në sy, është fakti se është sektori publik, që është fryrë në periudhën Prill-Qershor, që përkon edhe me zgjedhjet e përgjithshme, në 185 mijë të punësuar. Vetëm krahasuar me fundin e 2019-ës, administrata është rritur me 12,600 vende pune.

Sa i takon nivelit të papunësisë, të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave zbulojnë se ky tregues ra në 11.6% për periudhën Prill-Qershor 2021, një përmirësim krahasuar me fillimin e vitit, por ende larg niveleve të 2019-ës. Paradoksalisht, të dhënat e zyrave të punës flasin për më shumë punëkërkues të papunë të regjistruar.

Ndërsa ulja e papunësisë duket se ka ardhur kryesisht nga rritja e popullsisë së dekurajuar, që nuk e gjen veten në tregun e punës. Kjo veçanërisht edhe pas kushteve të reja të krijuara në këtë treg në këtë periudhë të pandemisë së COVID 19.