11 Shtatori i Fatos Tarifës: Ishte periudha e afrimit të madh Shqipëri-SHBA

Kishte 3-4 muaj që kishte mbërritur në Uashington, si ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetëm 2 muaj që i dorëzuar kredencialet presidentit Bush.

“Ishte një ditë e zakonshme pune, atje mësova çfarë ndodhi. Lajmin e mësova nga Europa. Ksenofon Krisafi, ambasador i Shqipërisë në Zvicër, më merr në telefon dhe më thotë që ka ndodhur një sulm terrorist në Nju-Jork. Shembja e simbolit të fuqisë dhe ekonomisë amerikane na la pa gojë. Që nga “Pearl Harbour”, Amerika nuk ishte goditur ndonjëherë në atë mënyrë”, kujton Tarifa, në një intervistë për A2 CNN.

Pas 11 Shtatorit, Amerika nuk qe më ajo, amerikanët nuk qenë më të parët, e gjithë bota nuk qe më ajo, thotë ai. “I pari që i telefonoi presidentit Bush, ishte Putin, i cili edhe ai sapo kishte marrë detyrën. Sikurse edhe presidenti shqiptar në atë kohë, Rexhep Mejdani. Mbi ë gjitha, angazhimi i qeverisë shqiptare për të qenë përkrah Shteteve të Bashkuara”.

Tarifa thotë se 11 Shtatori solli edhe një ndryshim të madh në marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë. “Sot mund të mos kishin qenë këto që janë, pa ndodhur 11 Shtatori. I përmirësoi, i afroi. Në kujtimet e mia e quaj periudha e afrimit të madh. Sepse ne, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, çuam trupa në Afganistan dhe më pas edhe në Irak. Këto ishin gjeste që në Uashington, më thoshin që “ne i mbajmë shënim”. Dhe u duk në përkrahjen që ne gjetëm në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në NATO. Kujtoj që kur ne çuam ushtarë në Afganistan dhe më pas në Irak, kemi marrë shumë letra nga njerëz të zakonshëm. Kujtoj letrën e një veterani të ushtrisë amerikane që më shkruante që, nëse do të kisha mundësi të luftoja në Irak, do të doja ta bëja përkrah një ushtari shqiptar”.

Vetëm një javë pas 11 Shtatorit, gazeta e dytë më e madhe në Uashington, “Washington Times”, botoi një artikull ku thuhej se terroristët kishin lidhje me Shqipërinë. “Ishte e tmerrshme ta lexoja nga pozita ime. Menjëherë u ula të shkruaj një përgjigje të cilën ia dërgova kryeredaktorit të gazetës, ku i thosha që kjo është një gjuhë fyese për Shqipërinë, e cila është vend aleat, dhe që e kundërshtoj. Artikulli thoshte që ata që rrëmbyen avionët kishin baza në Shqipëri. Përgjigja ime u botua më 21 shtator. Them se bëra detyrën time, duhet ta bënte çdo ambasador”, kujton Tarifa.

Pas 11 Shtatorit gjithçka ndryshoi. “Ende në mentalitetin amerikan, është një ngjarje që ka përkufizuar kulturën e të menduarit e të të sjellit. Sot jetojmë në një botë jo thjesht pas Luftës së Ftohtë, por pas 11 Shtatorit, sepse sulmet definuan një epokë të re”.

Sipas diplomatit, Shqipëria duhet të mbajë me prioritet marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. “Gjithmonë kam thënë që Bashkimi Europian mund të jetë e ardhmja e vendit tonë, gjithmonë nëse BE do të vazhdojë së ekzistuari. Por Shqipëria asnjëherë nuk do të jetë më e sigurt sesa në një aleancë të fortë me NATO-n dhe SHBA. Pra SHBA për ne duhet të përbëjë përparësi. Shumë njerëz e akuzojnë Amerikën si sherif i botës, por besoj se ka bërë shumë punë të mira”.