Arrestohet “Pula”, ish-kryespiuni i Venezuelës, i akuzuar se ka mbushur Amerikën me kokainë

Policia spanjolle ka arrestuar ish-kreun Shërbimit Inteligjent Ushtarak të Venezuelës, i cili akuzohet nga autoritetet amerikane se ka mbushur vendin e tyre me kokainë. Gjenerali Hugo Carvajal, i njohur edhe me nofkën “Pula” kishte kati dy vite në arrati.

Edhe pse shumë mendonin se ishte zhdukur, ai qëndronte në Madrid, ku edhe ishte parë për herë të fundit. Kur arrestua, autoritetet spanjolle dhe ato amerikane të DEA-s vunë re se ai kishte kryer operacione plastike, kishte vendosur një parrukë dhe mustaqe false. Gjithashtu zbuluan se ndryshonte vendbanim në Madrid çdo tre muaj.

61-vjeçari ishte për thuajse një dekadë njeriu i besuar i Hugo Chavez-it në ushtrinë venezuelase. Në vitin 2019, një gjyaktë spanjolle miratoi ekstradimin e tij në SHBA, ku akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim me grupe rebele kolumbiane.

Ai ishte arrestuar fillimisht në vitin 2014 në Aruba, ku punonte si diplomat, por pas presionit të Maduros, vendi i vogël në Karaibe e la të lirë. Pas protestave në Venezuelë, ai braktisi Maduron dhe mbështeti Juan Guaidon, liderin e opozitës që njihet nga SHBA dhe Perëndimi. Por kjo nuk mund të ndryshonte qëndrimin e drejtësisë amerikane ndaj tij.