Çmimet e frutave dhe perimeve, rritja e prodhimit nuk ul kostot për konsumatorët

Në thuajse çdo fushë të ekonomisë, Shqipëria blen 3-fish më shumë nga çfarë shet. Përjashtim bëjnë produktet bujqësore.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, gjatë muajit korrik vendi eksportoi fruta, perime dhe zarzavate në vlerën e 877 milionë lekëve ndërsa importoi të njëjtat produkte në vlerën e 605 milionë lekëve.

Edhe pse me suficit në tregtinë e jashtme në këtë fushë, në tregun vendas çmimet e fruta-perimeve dhe zarzavateve kanë pësuar rritje. Çmimet e fruta-perimeve dhe zarzavateve në vend sipas INSTAT u rritën me 16.6 për qind gjatë muajit korrik.

Po pse ndodh një dukuri e tillë? “Prej më shumë se një vit e gjysmë, ata nuk po avantazhohen me rimbursim 20%, por po dëmtohen me rimbursim 6%, ndërkohë mbi 14% mbetet në kurriz të qendrave të grumbullimit dhe të atyre që merren me shitjen e produkteve. Kjo i jep avantazh importit, sepse e kanë më lehtë të shtojnë sasinë e importuar sesa të punojnë me fermerët me të cilët kanë punuar më parë”, thotë Agim Rrapaj, kryetar i Agrobiznesit Shqiptar.

Prej vitit 2013, Shqipëria ka vijuar një rritje graduale të eksporteve në produktet bujqësore. Frutat dhe perimet ishin grupi i gjashtë më i eksportuar në vend gjatë gushtit, pas naftës, veshjeve të këmbës, gizës dhe çelikut dhe veshjeve tekstile.