Heronjtë e fluturimit ‘93

E martë 11 shtator, 2001. Në orën 10:03, avioni i United Airlines bie në fushë në Pensilvani. Avioni i rrëmbyer nga terroristët gjatë fluturimit, duhet të godiste Kapitolin. Gjatë fluturimit, pasagjerët telefonuan familjarët. Përmes tyre, mësuan se 2 avionë të tjerë ishin përplasur me Kullat Binjake.

“Ata nuk e dinin se ku po shkonin. Dinin vetëm që avioni ishte kthyer dhe kishin mësuar përmes telefonatave se mund të përplaseshin me ndonjë godinë. Ata po përpiqeshin që ta ndalonin këtë”, kujton Katherine Hostetler, nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve.

Brenda 20 minutave, rreth 40 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit në bord, hartuan një plan dhe e ekzekutuan idenë. Avioni më vonë u përplas në një fushë pranë Shenksvill (Shanksville), Pensilvani, duke vrarë të gjithë ata që ishin në bord. Mes tyre në fluturim ishte edhe Joey Nacke, që udhëtonte për punë atë mëngjes.

“E di në zemrën time se ai ishte në vështirësi, si të gjithë ata në bord, kur erdhi koha për t’u siguruar që fluturimi ’93 nuk do të arrinte objektivin e synuar”, tregon Ken Nacke, vëllai i Joey.

Ken e përshkruan të vëllain si një njeri të madh, me një gëzim e zell të jashtëzakonshëm për të jetuar. “Ai kishte një zemër të madhe, aq sa mund të hiqte bluzën e tij e ta jepte apo mund të jepte dollarin e fundit që kishte në xhep, nëse do të kishe nevojë”.

20 vite kaluan shpejt, çdo vit familjarët rikthehen në skenën e tragjedisë. Aty sot qëndron memoriali dedikuar 40 viktimave të 11 shtatorit, me fotot e 40 njerëzve krejt të ndryshëm, me jetë e botë të ndryshme, që do të mbahen mend gjithnjë si heronjtë. “Bota është një vend më i sigurt për shkak të aksionit të heronjve të fluturimit 93, por nuk është botë më e mirë sepse ata nuk janë më”, thotë Ken.