“Ka qenë pa dyshim dita më e gjatë që kam kaluar si gazetar”

Publikuar më: 11/9/2021, ora 14:53

“Ka qenë pa dyshim dita më e gjatë që kam kaluar si gazetar”

Publikuar më: 11/9/2021, ora 14:53

Pamjet dramatike që vinin nga Shtetet e Bashkuara atë 11 Shtator, shumë prej nesh ashtu sikurse e gjithë pjesa tjetër e botës, i pamë përmes rrjetit prestigjioz CNN. Si reporterë, por edhe banorë të Shteteve të Bashkuara, ata që raportonin nga terreni atë ditë, me siguri kanë përjetuar momente nga më të vështirat. A2 CNN bisedoi me Tim Lister, reporter dhe producent i CNN, i cili na rrëfen për emocione dhe tmerrin e jetuar atë të martë të zezë, teksa koordinonte punën e gazetarëve nga regjia qendrore e gjigandit mediatik. Ekspert i çështjeve ndërkombëtare dhe terrorizmit, Tim analizon evoluimin e grupeve esktremiste në 20 vjet dhe pozitat aktuale të terrorizmit në ditët e sotme…

A2 CNN: Shumë prej nesh dëshmuan tmerrin e ngjarjeve të 11 Shtatorit të vitit 2001 përmes CNN. Si e kujton atë ditë? A ishe në punë?

Tim Lister: Oh, po… Ishte dita më e gjatë. Në fakt, një natë më herët po bënim prova për një program të ri, kështu fillimisht nuk isha ende në punë. Mora një telefonatë nga dikush që ishte dhe më tha: “Bën mirë të vish, pasi duket se një avion është përplasur me World Trade Center. Hapa televizorin dhe në moment pashë avionin e dytë që godiste kullën tjetër. Kështu nxitova në qendrën e CNN, ku siç mund të imagjinoni, kishte skena të çmendura. Të gjithë ishin të befasuar me atë që po ndodhte dhe ne punuam të gjithë për 36-48 orët në vazhdim pa pushim fare. Edhe pse, disa prej nesh kishin qenë gazetarë për 20 ose 30 vite, ishim të befasuar nga magnituda e asaj që kishte ndodhur.

A2 CNN: Si reporter dhe producent me fokus të veçantë tek Lindja e Mesme dhe terrorizmi, mund të kesh mbuluar shumë histori sfiduese. Por, si ishte të jetoje dhe të raportoje për një sulm kaq të madh në tokën amerikane. A ishte diçka që do ta kishe imagjinuar?

Tim Lister: Jo. Mendoj se askush nuk do ta kishte imagjinuar diçka të tillë; sulmi më i madh në tokën amerikane që prej Pearl Harbor. Unë kam mbuluar rënien e Murit të Berlinit dhe ndryshimet në Europën Lindore në 1989, Revolucionin Iranian dhe një sërë ngjarjesh të tjera të rëndësishme, por asgjë tjetër nuk ngjasonte me 11 Shtatorin. Kaq e papritur, kaq tronditëse, kaq e madhe… Pasi arritëm të përpunonim atë që kishte ndodhur, pyesnim cilat kishin qenë dështimet e inteligjencës; si kishte qenë e mundur të ndodhte diçka e tillë. Përveç kostove në jetë njerëzore dhe efektet traumtizuese tek Amerika. Nuk mund të nënvlerësosh panikun dhe shokun që përjetoi ky vend atë ditë. Nuk kam për ta harruar kurrë. Atë natë, kishim një reporter që qëndronte jashtë një kishe të vogël, pranë zonës ku gjendeshin Kullat Binjake. Ai ishte rrethuar nga copëza të vogla letrash. Ato letra ishin hedhur në erë nga shpërthimi në World Trade Center dhe po binin nga qielli. Ai u mbulua nga to dhe ishte një situtatë vërtet surreale. Pamjet të jepnin idenë dhe magnitudën e ngjarjes dhe shpërthimit. Mbaj mend gjithashtu kur avioni i fundit u përplas në Pensilvani. Mendoj se ishim ulur në regji. Në fakt, nuk ishim ulur, po qëndronim në këmbë dhe pyesnim veten: Kur do të marrë fund e gjitha kjo? Edhe sa sulme të tjera do të ketë? Ka qenë pa dyshim dita më e jashtëzakonshme që kam kaluar si gazetar.

A2 CNN: Kujtime të tmerrshme. Si një ekspert në çështjet ndërkombëtare, Tim, në këndvështrimin tënd, si ka ndryshuar bota nga ajo ditë dhe si ka ndryshuar terrorizmi?  

Tim Lister: Varet sa kohë keni, pasi mund të shkruajmë lehtësisht një libër për këtë, Rosalba. Gjithçka ndryshoi atë ditë. Unë shkova në Afganistan menjëherë më pas. Isha në Tora Bora dhe dëshmova bombardimin e Al Kaedës në kodër, por sigurisht puna nuk kishte mbaruar. Mund të them se na u desh shumë kohë për të arritur atje në këmbë. Ne ishim atje 2-3 javë para se trupat e parë amerikanë të terrenit dhe grupet e CIA-s të mbërrinin. Deri atëherë, i gjithë lidershipi kryesor i Al Kaedës kishte ikur, këshu Osama Bin Laden i shpëtoi gjuetisë amerikane edhe për një dekadë tjetër. Al Kaeda sigurisht që nuk vdiq, u plagos shumë rëndë në zemër të territorit që dikur kontrollonte, në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit. Por, ajo u përhap, u degëzua në grupe të tjera që u bënë edhe më të rëndësishme sesa Al Kaeda në territorin mes Afganistanit dhe Pakistanit, në vende si Jemeni, Mali, Somalia me një shtrirje të konsiderueshme edhe në Europë. Një grup i lidhur me Al Kaedën u shfaq gjithashtu në Irak, duke e shndërruar në bishë edhe më të tmerrshme, e quajtur ISIS. Ne e dinim që kërcënimi terrorist ishte atje, patëm bombardimin e Ambasadës Amerikane në 1998, e po ashtu goditje të tjera në Jemen. E dinim që ishin atje, por mendoj se askush në komunitetin e inteligjencës nuk e dinte që ata do të ishin të aftë për një sulm kaq të madh në 11 Shtator. E dinim se Al Kaeda do të përhapej me shpejtësi në shumë territore të tjera, kështu që 20 vite pas 11 Shtatorit, terrorizmi ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Është shpërndarë rreth botës, Afrika është kthyer në një pikë të nxehtë për grupe esktremiste xhihadiste. Mendoj se Perëndimi duhet të mësohet ta menaxhojë, pasi nuk mund ta zhdukë atë. Terrorizmi do të ekzistojë dhe në shumë prej këtyre vendeve janë krijuar kushtet ideale që ky lloj esktremizmi të mbijetojë dhe të zgjerohet. Mendoj se ky është problemi më i madh dhe më i rëndësishëm.

A2 CNN: Po tani, pas 20 vitesh luftë kundër tyre, a mund t’i shohim Al Kaedën dhe ISIS si një kërcënim të largët, apo po fitojnë sërish terren? Si kanë ndryshuar sfidat? 

Tim Lister: Nuk mendoj se ISIS po fiton terren pasi pësoi një disfatë të madhe, së fundmi në Siri dhe Irak, aty dikur kishte shpallur Kalifatin. Por, është ende shumë i pranishëm, në Siri dhe Irak ku po vepron në mënyrë më të nëndheshme. Celulat janë atje, komunikojnë me njëra-tjetrën, por janë më të vështira për t’u zbuluar. Po shohim sërish aktivitet të ISIS në Irak, në veri të Bagdatit, po shohim prani të grupit në Siri, degë të lidhura me të në Afrikë, veçanërisht në Afrikën Perëndimore si Niger dhe Nigeri. Ka një prezencë shumë të rëndësishme të grupeve të lidhura me ISIS atje. Lidhjet mes tyre janë shumë më të dobëta. Mund të themi se kanë të njëjtën etiketë, por duket se mungon një strukturë qendrore e ISIS. Sakaq, Al Kaeda ka luajtur lojën me të gjatë të pritjes, në një farë mënyre ka mbijetuar. Por, problemi më i madh për Al Kaedën do të jetë një ndryshim brezash në lidership. Janë ende “të vjetrit” në krye të Al Kaedës dhe kjo mund të ndryshojë shpejt kur një gjeneratë e re do ta udhëheqë atë. Ajo për të cilën duhet të shqetësohemi tani, në vazhdën e ngjarjeve të fundit, është një ringritje e terrorizmit në Afganistan, vend që mund të kthehet në bazë për këto grupe. E dimë që ISIS është atje, jam fokusuar shumë tek prania e Shtetit Islamik në Afganistan. Po ashtu, Al Kaeda ka vijuar të ketë marrëdhënie me talebanët përgjatë 20 viteve të fundit. Kanë lidhje shumë të ngushta. Kështu, terrorizmi nuk do të zhduket, natyra e kërcënimit ndryshon dhe mendoj se problemi më i madh tani e tutje do të jetë se për herë të parë në 20 vite, Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë me sy e veshë në Afganistan. Dhe pavarësisht se teknologjitë janë të mrekullueshme për identifikimin dhe eleminimin e kërcënimeve, nuk ka një zëvendësues për inteligjencën njerëzore në terren. Shtetet e Bashkuara nuk do ta kenë më këtë në Afganistan.  

A2 CNN: Tim Lister, të falenderoj shumë për kohën që ndave me ne dhe ekspertizën tënde.