Kean “shënon” në portën e tij, Juventus përmbyset nga Napoli

napoli 1100x620

Një tjetër ditë për t’u harruar për Juventusin dhe tifozët e saj të shumtë. Në ditën ku Cristiano Ronalddo debuton me Manchester United me një dygolësh, zëvendësuesi i tij, Moise Kean me një veprim që mund të quhet një autogol, dënon Juventusin me humbjen e dytë në tre ndeshje në Serie A.

Bardhëzinjtë e Massimiliano Allegrit, me shumë mungesa për shkak të lojtarëve që vijnë nga Amerika e Jugut, kalojnë gjithsesi në avantazh me spanjollin Morata në minutën e 10-të, edhe pse protagonist aty është greku Manolas dhe gafa e tij, që humb topin si të ishte në ndeshjen e tij të parë.  

Por Napoli barazon gjithçka në pjesën e dytë (57’) me Politanon, pas një gjuajtje nga distanca e Lorenzo Insigne, ku portieri Szczesny sërish tregon probleme, ndërkohë që kolegu Ospina kryen pritje të bindshme.

Ndeshja duket sikur do tëshkojë në një barazim të drejtë, por në minutën 85, pikërisht i porsaardhuri Kean godet me kokë portën e tij, Szczesny pret por nuk ndalon topin që shkon në fund të rrjetës me mbrojtësin napolitan Koulibaly.

Juventusi me humbjen e sotme mbetet me një pikë të vetme në 3 ndeshje, me mundësi reale që të ndodhet 8 pikë më pak me disa ekipe ditën e nesërme.