Lulzim Basha, shpjegime te degët për përjashtimin e Sali Berishës

Pas replikave të forta mes tyre ditën e parë të legjislaturës, ditët në vijim duket se do të shndërrohen në matje force mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.

Ish-kryetari ka theksuar se do të takojë çdo demokrat dhe se aksionin e tij kundër Bashës do e ndjekë në rrugë statutore. Kryetari Basha veproi menjëherë, duke thirrur Kolegjin e Kryetarëve të Degëve. Pas rreth 2orësh mbledhje, demokratët dolën nga selia pa dhënë koment për atë çka u diskutua.

Por, heshtjen e theu kreu i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj, duke dalë në krah të Bashës: “Ishte vendimi më i vështirë i kësaj partie ndoshta në 30 vite. Duhet të kemi parasysh se do të ishte i polarizuar dhe do të kishte kostot e veta. U mor në limite kohore për të treguar që u shfrytëzuan të gjitha mundësitë. Është një nga vendimet që merr parasysh eliminimin e kostove afatgjata të Partisë Demokratike, që do të thotë vazhdimin për një kohë të gjatë të kësaj qeverisjeje”. 

Dasho Aliko u shfaq i pandikuar nga mbledhja dhe argumentat e Lulzim Bashës, duke dhënë mbështetjen për Sali Berishën: “Ai duhet të shkojë në Parlament. Është pjesë e Parlamentit shqiptar”. 

Pas kësaj mbledhjeje, hapi i radhës mes demokratëve pritet të jetë nga Sali Berisha, i cili kërkon të ndryshojë masën disiplinore të dhënë nga kryetari Lulzim Basha.