Rama me princin saudit: Mbledhje e komitetit të përbashkët për të adresuar prioritetet ekonomike

rama princi 1100x620

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, zhvillimi dhe rritja e kontakteve mes bizneseve ishin në foksu të takimit mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite Saudit, Princit Faisal Bin Farhan Al Saud. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama theksoi se vizita e Princit Faisal Bin Farhan Al Saud në Tiranë është hapja e një kapitulli vizitash dhe takimesh bilaterale, pas paralizimit të tyre për shkak të pandemisë.

“Princit Faisal Bin Farhan Al Saud në ka ardhur për herë të parë nga Riadi për të vënë kontaktet e drejtpërdrejta dhe për të ristartuar një proces bashkëpunimi të thelluar për të cilin kemi vendosur piketat gjatë vizitës sime në Riad edhe në takimin me princin e Kurorës Bin Selman. Mirënjohje për përkushtimin që ai ka treguar mes dy vendeve tona dhe ka qenë ai që ka mbajtur gjallë bashkëpunimin dhe komunikimin në kushtet kur gjatë pandemisë kontaktet u vështirësuan dhe të gjitha shkëmbimet  e planifikuara u paralizuan. Kjo vizitë është shenjë e drejtpërdrejtë e gatishmërisë së miqve tanë për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë. Numri i vizitorëve nga Arabia Saudite si turistë në Shqipëri ka pësuar rritje të ndjeshme falë fluturimeve direkte me Lindjen e Mesme, por edhe falë nxitjes që vetë Princi i Kurorës dhe Arabia Saudite i ka bërë kësaj marrëdhënieje. Kjo vizitë e parë është hapja e në kapitulli vizitash dhe takimesh bilaterale”.

Rama përsëriti kërkesën për të pritur princin e kurorës në Shqipëri dhe theksoi se tashmë janë krijuar kushtet për rritjen e volumit tregtar mes dy vendeve. Sipas tij u ra dakord që të mblidhet sërish komiteti i përbashkët i cili u bllokua për shkak të pandemisë  dhe për të adresuar prioritetet në funksion të bashkëpunimit ekonomik.

“Sot unë ia përsërita kërkesën për të pritur Princin e Kurorës dhe e falënderova për ndihmën e vazhdueshme që Arabia Saudite i ka dhënë Shqipërisë sidomos në momente të vështira dhe besoj që jemi në kushtet për të parë mundësitë e investimeve dhe rritjes së volumit tregtar mes dy vendeve. Ramë dakord me princin për të mbledhur sa më parë komitetin e përbashkët, i cili u mblodh në 2019 dhe u bllokua nga pandemia, për të adresuar prioritete në funksion të thellimit të bashkëpunimit ekonomik”.

Kreu i qeverisë shqiptare shprehu dëshirën për të qenë pjesë e nismës së Arabisë Saudite përmes projektit të mbjelljes së 50 miliardë pemëve.

“Ndamë edhe disa ide ndër të cilat dëgjuam edhe për nismën madhështore të Arabisë Saudite për rritjen e përmasës së gjelbër të gjithë Lindjes së Mesme dhe kontributet edhe në shkallë globale përmes projektit të mbjelljes së 50 miliardë pemëve dhe do të ishim të lumtur të ishim pjesë e kësaj nisme pavarësisht numrit të pemëve dhe në funksion të një agjende të përbashkët të të gjithë aleancës së vendeve për të përballuar sfidën e madhe të mjedisit përballë ngrohjes globale”.

Rama vlerësoi Arabinë Saudite edhe për mbështetjen që ajo ka dhënë për Kosovën.

“Dua të ritheksoj se Arabia Saudite e ka njohur Republikën e Kosovës dhe ka qenë një nga mbështetëset e rëndësishme të përpjekjeve tona. Zëri i Arabisë Saudite është me shumë peshë dhe do bashkëpunojmë me Fasal dhe jemi me fat që është sot në krye të punëve të Jashtme të Arabisë Saudite për shkak të njohjes dhe ndjeshmërisë që ka për rajonin tonë. Do bashkëpunojmë që të rrisim ndjeshmërinë dhe qartësinë e atyre vendeve të organizatës së bashkëpunimit islam që ende nuk e kanë njohur Kosovën”.

Në vizitën e tioj të parë në Tiranë, ministri i jashtëm i Arabisë Saudite u shpreh se do të vazhdojë bashkëpunimin me Shqipërinë për disa fusha të rëndësishme si ajo ekonomike, e zhvillimit, mjedisit, por edhe politike. Ai tha se është rritur në nivel ministerial statusi i komitetit të përbashkët mes dy vendeve.

“Mbretëria jonë e vlerëson miqësinë me Shqipërinë që ka ecur për vite të tëra. Humbëm disa momente për shkak të pandemisë, por do të vazhdojmë në të ardhmen në fusha të ndryshme. Patëm diskutim të mirë për fushat e bashkëpunimit politik, ekonomik, zhvillimit, mjedisit. Ka shumë gjëra që Arabia Saudite mund të bëjë në Shqipëri dhe mbledhja e Komitetit të përbashkët. Kemi rritur statusin e tij në nivel ministerial ku do të shtohet edhe fokusi i punëve për të shfrytëzuar ato mundësi dhe për të zhvilluar miqësinë tonë. Duam të japim sinjalin e qartë që jemi të angazhuar për këtë miqësi. Bashkëpunimi ekonomik. Kemi rritje të turistëve të Arabisë Sauditë që vijnë në Shqipëri dhe rritja  e kontakteve mes bizneseve. Duam që të bashkëpunojmë dhe të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë jo vetëm në mbretërinë tonë.

Ai vuri në dukej se gjatë takimit janë diskutuar edhe çështje të tjera me rëndësi botërore dhe rajonale.

“Diskutuam çështje politike në Lindjen e Mesme dhe rajon dhe mbarë botën. Shqipëria dhe Mbretëria jonë kanë qasje të përbashkët. Folëm për anëtarësinë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB dhe agjendën e Shqipërisë dhe ne do të japim mbështetjen e plotë. Arabia Saudite ka program ambicioz për 2030 dhe presim të bashkëpunojmë. Mjedisi dhe mbrojtja për Shqipërinë është pikë kyçe dhe ne e kemi thënë çështjen e gjelbër. Shpresoj që do të keni shumë mundësi”.