Sulmet e 11 shtatorit, Johnson: Terroristët nuk e lëkundën besimin në liri e demokraci

Sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara nuk arritën të përçanin ata që besonin në liri dhe demokraci. Kështu u shpreh kryeministri britanik Boris Johnson në një videomesazh me rastin e 20 vjetorit të ngjarjes.

“Edhe pse terroristët imponuan barrën e tyre të vuajtjes dhe mjerimit, dhe pavarësisht se kërcënimi vijon të ekzistojë edhe sot, mund të themi tani me perspektivën e 20 viteve se ata nuk arritën të lëkundnin besimin tonë në liri dhe demokraci, ata nuk arritën të përçanin vendet tona apo të na detyronin të braktisnim vlerat tona dhe të jetonim me frikë”.

Mesazhi do të shfaqet në një event që do të mbahet në Parkun Olimpik, ku gjendet një skulpturë memoriale krijuar nga çeliku i shpëtuar prej kullave të shembura të World Trade Center.

Johnson e lidhi përvjetorin e sulmeve me rikthimin e talebanëve në pushtet në Afganistan, pas tërheqjes së trupave të huaj.

 “Ngjarjet e fundit në Afganistan vetëm sa e fuqizuan vendosmërinë tonë për të kujtuar njerëzit që na I morën, për të dashur atë që mbijetuan e që ende janë në zi, dhe për të ruajtur të palëkundur besimin në liri dhe demokraci, diçka që do të mbizotërojë mbi çdo armik”.

Mes viktimave të sulmeve të 11 shtatorit ishin 67 britanike.