Sulmet terroriste të 11 shtatorit: Amerika kujton viktimat, 20 vjet më pas
Sulmet terroriste të 11 shtatorit: Amerika kujton viktimat, 20 vjet më pas
Amerika kujton sot një prej kapitujve më të errët në historinë e saj, sulmet terroriste të 11shtatorit. Ceremoni të ndryshme përkujtimore do të zhvillohen me rastin e 20-vjetorit të tragjedisë, me presidentin amerikan Joe Biden që do të vizitojë të treja zonat ku u ndezën shkëndijat e luftës. Ndalesa e parë do të jetë në qytetin e Nju Jorkut, ku në 8:46 të mëngjesit një avion i American Airlines i marrë peng nga terroristë të Al Kaedës, u përplas në kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë, dhe ku 17 minuta më vonë një tjetër avion i kompanisë United Airlines goditi kullën jugore.
Ai do të vizitojë gjithashtu Pentagonin, i sulmuar 34 minuta më vonë, dhe Shanksville në Pensilvani ku u rrëzua avioni i 4-rt. Në prag të 20-vjetorit, presidenti amerikan u bëri homazh 2977 personave që humbën jetën dhe apeloi për unitet.
“U themi familjeve të 2977 personave që u vranë në 11 shtator të 2001, në New York, Arlington, Virginia dhe Shanksville, Pennsylvani, dhe mijëra të tjerëve që u plagosën, Amerika përkujton ju, dhe të dashurit tuaj. Nderojmë të gjithë ata që rrezikuan dhe dhanë jetën në minutat, orët, muajt dhe vitet që pasuan 11 shtatorin. Nuk ka rëndësi sa kohë ka kaluar, kjo ditë na shkakton njësoj dhimbje, sikur të kishte ndodhur disa sekonda më parë”, u shpreh Biden.
Sulmet që planifikuan nga Al Kaeda në Afganistan, përfshinë19 terroristë që rrëmbyen 4 avionë me pasagjerë; 2 prej tyre u përplasën me Kullat Binjake në Nju Jork, njëri sulmoi godinën e Pentagonit dhe i 4-rti, u rrëzua në një fushë të Pensilvanisë, pasi pasagjerët ju kundërvunë agresorëve kamikazë.
20 vjetori shënohet në një moment të vështirë për presidentin Biden, i cili përballet me kritika të forta për tërheqjen kaotike nga Afganistani.