Talebanët: Gratë gëzojnë të drejtat bazike, dhuna nuk është pjesë e politikës sonë

grate afgane 1100x620

Talebanët këmbëngulin se regjimi i tyre i ri është ndryshe nga ai i mëparshmi. Duke folur për BBC, zëdhënësi i tyre, Suhail Shaheen, tha se pas 20 vitesh luftime, udhëheqësit e rinj të Afganistanit duan të krijojnë një “shtet mirëqenieje” për popullin e tyre.

“Ne jemi pjesë e popullit afgan dhe dhuna nuk është politika jonë. Shumica prej nesh kanë qenë pjesë e rezistencës kundër Bashkimit Sovjetik në fillim dhe Amerikës e aleatëve të saj përgjatë 20 viteve të fundit. Tani, duam të përmirësojmë jetën e popullit tonë, duam të ndërtojmë Afganistanin, të hapim vende pune për njerëzit, të ndërtojmë shtetin e mirëqenies”, tha zëdhënësi i talebanëve.

Në lidhje me situatën e grave dhe vajzave në Afganistan, zëdhënësi u shpreh: “Në krahasim me të kaluarën, kur kishim luftë brenda nesh, sot po përqendrohemi në aktivitetet ekonomike, në arsimim dhe nevojat e tjera të njerëzve. Gratë dhe vajzat i kanë të gjitha të drejtat bazike. Mund të shkojnë në pazar dhe sigurisht që mund të punojnë. Madje, u bëjmë thirrje të gjitha grave që të kthehen në punë”.

Disa ditë më parë, talebanët reaguan pas kritikave të shumta të marra nga ndërkombëtarët pasi në qeverinë e tyre të re të saposhpallur nuk kishte asnjë grua në kabinet.

Zëdhënësi i grupit taleban, Sayed Zekrullah Hashim, gjatë një interviste televizive, u shpreh se gratë nuk mund të kenë mbi supe një peshë që ato nuk e mbajnë dot.

“Një grua nuk mund të jetë ministre. Është njësoj si t’i varësh në qafë një peshë që nuk mund ta përballojnë. Nuk është e nevojshme që një grua të jetë pjesë e qeverisë, ato duhet të bëjnë fëmijë”, u shpreh ai.